Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka deklaruar se është i gatshëm të takohet këtë javë kokë më kokë me presidentin Karol Nawrocki, në përpjekje për të ulur tensionet politike lidhur me përbërjen e Gjykatës Kushtetuese të vendit.

“Jam i gatshëm që këtë javë të zhvillojmë një takim kokë më kokë, në mënyrë që të shqyrtojmë se si mund ta ulim përgjithmonë këtë tension”, tha Tusk në një konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.


Ai theksoi se, ndonëse të dyja palët ka të ngjarë të vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për shumë çështje, ato ndajnë një përgjegjësi të përbashkët.

Tusk shtoi se do të përpiqet, së bashku me presidentin, të gjejë zgjidhje që do ta mbrojnë Poloninë nga përplasjet politike edhe në të ardhmen, transmeton Telegrafi.

“Përballë kërcënimit gjithnjë e më të madh nga lindja, ne të dy e ndiejmë përgjegjësinë e përbashkët për të kërkuar, kudo që është e mundur, marrëveshje për sigurinë dhe rendin e brendshëm, si dhe për t’i qetësuar këto emocione”, u shpreh kryeministri.

I pyetur për kohën e takimit, Tusk tha se data nuk do të bëhet publike paraprakisht.

“Duam të bisedojmë kokë më kokë, pa këtë presion dhe pa tensionet politike. Ndonjëherë, një bisedë e drejtpërdrejtë dhe e qetë mund të sjellë zgjidhje të caktuara”, theksoi ai.

Zyrtarë nga Presidenca konfirmuan se kërkesa për takim është pranuar. Zëdhënësi i presidentit, Rafał Leśkiewicz, rikujtoi se Nawrocki ka deklaruar vazhdimisht se është i gatshëm për bisedime sa herë që kryeministri kërkon një takim.

“Kur të caktohet data e takimit, do ta informojmë publikun”, tha zëdhënësi.

Ndërkohë, ministri presidencial Marcin Przydacz, i pyetur se kur mund të zhvillohet takimi, vuri në dukje se presidenti të mërkurën do të udhëtojë drejt Sllovakisë, ku do të marrë pjesë në një takim të presidentëve të vendeve të Grupit të Vishegradit.

“Shpresoj që gjatë kësaj kohe kryeministri të mos përdorë policinë për të marrë nën kontroll ndonjë institucion kushtetues të shtetit”, shtoi Przydacz.

Mosmarrëveshjet për përbërjen e Gjykatës Kushtetuese kanë nxitur një përballje të hapur mes qeverisë së Tuskut dhe presidentit Nawrocki. Ky i fundit tentoi të hynte në ndërtesën e Gjykatës të premten në mbrëmje, në mes të bllokadës lidhur me emërimin e gjyqtarëve të rinj.

Policia rrethoi ndërtesën, ndërsa përplasja u transmetua drejtpërdrejt në televizion, duke e bërë krizën temë diskutimi edhe përtej kufijve të Polonisë dhe në debatin më të gjerë politik evropian.

Opozita e ka akuzuar qeverinë e Donald Tuskut për përpjekje për grusht shteti, ndërsa qeveria thotë se po vazhdon reformat e nevojshme për rikthimin e sundimit të ligjit, pas viteve të ndërhyrjeve të partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) në sistemin gjyqësor.

Komisioni Evropian deklaroi të shtunën se po e përcjell nga afër situatën.

Një zëdhënës i Komisionit tha për Euronews se autoritetet polake janë përgjegjëse për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të funksionojë në përputhje me Kushtetutën e Polonisë dhe duke respektuar praktikën përkatëse gjyqësore të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian.

Ai shtoi se emërimi i tetë anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese është në kompetencën kushtetuese të Sejmit, parlamentit polak. /Telegrafi/