SPAK, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka zbuluar një mekanizëm të ri të përdorur nga personat e përfshirë në aktivitetin e call center-ave, të dyshuar për mashtrime përmes platformave online.
Gjatë operacionit janë identifikuar dy apartamente, një në lagjen Siri Kodra në Tiranë dhe një tjetër në Vlorë, të cilat ishin marrë me qira si banesa, por në të vërtetë përdoreshin si qendra telefonike.
Ndryshe nga skemat e mëparshme, ku aktiviteti zhvillohej në zyra të mëdha me shumë operatorë, personat e përfshirë kanë zgjedhur apartamente të vogla, ku ishin instaluar nga 4 deri në 6 njësi kompjuterike për operatorët.
Në hetim janë përfshirë edhe gjashtë zyra këmbimi valutor (exchange), të shtrira në Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Durrës. Dyshohet se këto zyra shërbenin për konvertimin e monedhave virtuale në para fizike, të cilat më pas përdoreshin nga personat e përfshirë në aktivitetin e call center-ave.
Hetimet po vijojnë për të dokumentuar të gjithë mekanizmin financiar dhe për të identifikuar personat e përfshirë në këtë skemë.





