E mërkurë, 4 Nëntor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 13:15 Në vijim ora 13:15: Trazira në Parajsë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Vendi

Kanceri i mori ëndrrën për t’u bërë nënë, por jo forcën për të jetuar, Eva Cane rrëfen betejën me sëmundjen e rëndë

Një histori e jashtëzakonshme njerëzore, e rrëfyer mes lotësh, emocionesh, por mbi të gjitha me forcën dhe kurajën për të mos u dorëzuar përballë jetës. Është historia e një gruaje 38-vjeçare, e cila u përball me një nga sfidat më të vështira që mund të sjellë jeta, kancerin.

Kur mori lajmin që i ndryshoi gjithçka, Eva Cane vendosi ta mbante fillimisht të fshehtë edhe nga nëna e saj. Për muaj me radhë, gjeti forcën për të përballuar operacionin, kimioterapinë dhe çdo sfidë që i doli përpara, deri në momentin kur dëgjoi kambanën e fitores.

Një rrëfim i sinqertë për frikën, dhimbjen, mbështetjen e njerëzve të dashur dhe besimin se edhe në momentet më të vështira, jeta ia vlen të luftohet. Eva Cane, ekonomiste, ndan historinë e saj në një komunikim online me emisionin “Mes’ditë” në Vizion Plus nën moderimin e Alma Çelajt.

Eva Cane: Të njihesh me një sëmundje të tillë është diçka krejtësisht e panjohur. Edhe mua m’u duk e pabesueshme në momentin që e mora vesh. Mendoja se nuk ishte e vërtetë. Kur mjekët e Korçës më drejtuan drejt Tiranës, e kuptova se bëhej fjalë për diçka shumë të rëndë.

Reklamë

Operacioni ishte shumë i vështirë dhe, në momentin që shkova në Spitalin Onkologjik, takova doktorin, i cili më komunikoi diagnozën. Paralelisht, mësova edhe faktin që nuk do të mundesha të bëhesha nënë biologjike. Këto ishin lajmet më të vështira që kisha marrë deri më sot.

Në vazhdim, u mësova disi me idenë dhe koha nuk priste. Duhej patjetër të bëja operacion. Barku ishte mbushur me 5 litra ujë. As vetë nuk e kuptova se si. Kur fillova të ndieja një rëndesë në pjesën e barkut, takova mjekun dhe aty u njoha me diagnozën.

Unë e kam kapur në stadin 3 dhe rezultati i biopsisë nuk ishte ai që prisnim. Doktori ma komunikoi pasi u operova, që të më përgatiste, dhe më tha që kishim një rrugë të gjatë përpara.

Ishte e vështirë të pranoje edhe ciklin e kimioterapisë. Unë u vura në dijeni edhe për efektet anësore. I kam nisur në qytetin e Korçës.

Unë kam përfunduar vetëm një betejë, sepse kjo është një luftë e gjatë. Kontrollet do të jenë periodike, çdo tre muaj duhet të bëj analiza specifike. Prandaj, një thirrje për vajzat dhe për gratë: mos u mjaftoni me një eko gjinekologjike. Është më mirë të parandalojmë sesa të kurojmë.

Beteja ndaj kancerit nuk duhet të jetë e vetmuar. Mbështetja psikologjike është shumë e rëndësishme. Janë shumë njerëz që më kanë qëndruar pranë. E para është nëna ime. E admiroj për forcën që më dha kur u ktheva nga spitali. Partneri im, familja e tij, miqtë e mi të fëmijërisë, kolegët e mi, por edhe njerëz të panjohur, që nuk ma kishte marrë mendja se do të më gjendeshin pranë në këto momente.

Forca dhe kurajoja që marrim do të thotë shumë. Lufta vazhdon, por beteja më e fortë është fituar. Kemi arritur të fitojmë.

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.