Abdul El-Sayed është bërë myslimani i parë i zgjedhur në Senatin amerikan, pas një fushate të tensionuar, gjatë së cilës feja e tij u vu vazhdimisht në qendër të sulmeve nga kritikët.

Presidenti Donald Trump ka përdorur shpesh retorikë anti-myslimane kur ka folur për El-Sayed, ndërsa zëvendëspresidenti JD Vance e sulmoi ashpër atë në një tubim të fundit elektoral, duke e quajtur “një vogëlush dinak që duhet ta mbyllë gojën dhe të tregojë pak mirënjohje”, transmeton Telegrafi.


Por, pasi u shpall fitues në Michigan, El-Sayed iu përgjigj me ironi Vance-it, duke iu drejtuar me fjalën arabe “habibi”, që përdoret si shprehje përkëdhelëse.

“JD, habibi... Ka një ironi të këndshme në faktin se Kushtetuta të detyron të më bësh betimin në janar”, deklaroi El-Sayed.

Me këtë deklaratë, ai iu referua rolit të Vance-it në ceremoninë e betimit të senatorëve të rinj, duke ironizuar sulmet që kishte marrë gjatë fushatës. /Telegrafi/