Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar mesazhin që, sipas tij, qytetarët amerikanë përcollën përmes votës.
Në deklaratën e tij, Obama theksoi se amerikanët kërkojnë një politikë që bashkon njerëzit dhe jo një politikë që thellon ndasitë, ndërsa ka deklaruar se tashmë demokratët duhet të përqendrohen te puna konkrete, të bëjnë ndryshime aty ku është e mundur dhe të përgatiten për të ardhmen.
“Sonte, populli amerikan dërgoi një mesazh të qartë, ata duan politikë që i bashkon njerëzit në vend që t’i përçajë, si dhe udhëheqës që propozojnë zgjidhje konkrete për sfidat me të cilat përballen.
Këto rezultate u bënë të mundura vetëm falë kandidatëve të jashtëzakonshëm që kandiduan në çdo rajon të vendit, madje edhe në zona që dikur konsideroheshin kauza të humbura.
Ata vinin nga prejardhje të ndryshme shoqërore dhe përfaqësonin një gamë të gjerë pikëpamjesh politike, por i bashkonin vlerat e përbashkëta, besimi në shërbimin publik dhe angazhimi për t’i vënë qytetarët e rajoneve dhe shteteve të tyre në radhë të pare.
Edhe pse kjo qeveri ka ende dy vjet në pushtet, puna jonë tani është të përveshim mëngët, të bëjmë ndryshime aty ku mundemi, të parandalojmë dëme të mëtejshme dhe të hedhim themelet për të ardhmen”, tha ai.













