Kryeministri Edi Rama ka kërkuar përmes ministrit të tij, Ermal Nufi, ndihmën e NATO-s për të luftuar atë që e cilëson si dezinformim rus në Shqipëri, në një kohë kur vendi po përballet me protesta kundër qeverisë. Lajmi raportohet nga media e njohur ndërkombëtare Politico, e cila thekson se pretendimet e Ramës për ndërhyrjen e Rusisë në fushatat që nxisin zemërimin ndaj qeverisë nuk mbështeten në prova.
Sipas Politico, Nufi i ka kërkuar Aleancës të jetë më aktive në identifikimin e mënyrave për t’iu kundërvënë aktorëve keqdashës në internet, përmes protokolleve të përbashkëta mes vendeve anëtare dhe krijimit të ekipeve të reagimit për shtetet që kanë nevojë për ndihmë.
Ministri pretendon se gjatë vitit të fundit në Tiranë është vërejtur shtim i fushatave në rrjetet sociale që “ushqejnë urrejtjen dhe zemërimin”. Ai ka përmendur edhe organizata që, sipas tij, kanë lidhje të tërthorta me Rusinë, duke thënë se janë vërejtur ndërveprimet e tyre në internet.
“NATO duhet ta shqyrtojë më nga afër këtë çështje”, është shprehur Nufi.
Por kërkesa e qeverisë shqiptare ka hapur debat për përdorimin politik të pretendimeve për ndërhyrje të huaja. Ekspertja e komunikimit dhe bashkëthemeluesja e organizatës kërkimore SCiDEV, me seli në Tiranë, Blerjana Bino, thekson se, ndonëse Shqipëria ka dokumentuar fushata në rrjetet sociale të lidhura me Rusinë për çështje të tjera, nuk ka prova që mbështesin pretendimet e Ramës për protestat kundër qeverisë.
“Ne e shohim këtë përpjekje të qeverisë si një mënyrë për të delegjitimuar pakënaqësitë e ligjshme të qytetarëve”, ka deklaruar Bino.
Sipas Politico, dërgimi i një ekipi të NATO-s në Shqipëri do të kërkonte zakonisht konsensusin e vendeve anëtare. Tre diplomatë të Aleancës, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti, kanë thënë se aleatët do të ishin të hapur për ta shqyrtuar këtë mundësi.
Megjithatë, diplomatët kanë dhënë një paralajmërim të qartë: Shqipëria nuk duhet ta përdorë asnjë reagim të NATO-s për qëllime të politikës së brendshme.a.b





