Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim të mirë në luftën kundër korrupsionit, duke evidentuar pavarësinë e SPAK dhe rezultatet pozitive në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Megjithatë, në raportin e siguruar nga Report Tv thuhet se korrupsioni mbetet një sfidë reale.

Pjesë nga progresraporti:

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vijuar të tregojë pavarësi dhe të japë rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, duke bërë përparim të prekshëm drejt krijimit të një bilanci të qëndrueshëm rezultatesh në luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, korrupsioni mbetet një sfidë reale.

Legjislacioni për parandalimin e korrupsionit u përafrua më tej me standardet europiane, përfshirë atë për konfliktin e interesit dhe lobimin. U arrit përafrim i mëtejshëm edhe për mbrojtjen e sinjalizuesve. Kanë nisur vlerësimet e rrezikut të korrupsionit sipas sektorëve dhe janë publikuar deklaratat e pasurisë së zyrtarëve të lartë. Ndikimi real i këtyre masave dhe i masave të tjera parandaluese në luftën kundër korrupsionit mbetet për t’u provuar, duke pasur parasysh hetimet në vijim për korrupsion të nivelit të lartë.

Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar u zbatuan pjesërisht dhe disa prej tyre mbeten të vlefshme. Gjatë vitit të ardhshëm, Shqipëria duhet veçanërisht:

  • Të forcojë dhe konsolidojë më tej bilancin e rezultateve në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve të korrupsionit dhe të sigurojë më shumë dënime të formës së prerë, veçanërisht në çështjet e profilit të lartë. Kjo përfshin sekuestrimin dhe konfiskimin përfundimtar të pasurive kriminale që burojnë nga veprat penale të lidhura me korrupsionin, si dhe rritjen e ndjeshme të referimeve proaktive nga institucionet shtetërore përkatëse dhe agjencitë ligjzbatuese drejt Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

  • Të konsolidojë më tej kuadrin e parandalimit të korrupsionit përmes zbatimit dhe monitorimit të masave ligjore të miratuara së fundmi; forcimit të kapaciteteve institucionale dhe angazhimit për zbatimin e strategjisë dhe legjislacionit kundër korrupsionit; zgjerimit të vlerësimeve të rrezikut të korrupsionit në sektorët e cenueshëm dhe të planeve të integritetit në nivel qendror e vendor, si dhe zbatimit të gjetjeve të tyre; forcimit të verifikimit të deklaratave të pasurisë nga të gjitha organet përkatëse, përfshirë Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).

  • Të forcojë masat për përmirësimin e llogaridhënies dhe integritetit të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, si dhe të garantojë pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e drejtimit të kësaj agjencie.


Lajmi kryesor:

Integrimi/ Progresraporti për Shqipërinë: SPAK rezultate pozitive, por sfidë korrupsioni! Ballukut s’iu hoq imuniteti, shqetësim për balancën mes pushteteve! Duhet dialog konstruktiv për protestat