“Dera e BE e hapur, mundësia e hyrjes më reale”, Rama pas raportit të BE-së: Shqipëria vlerësohet më lart se kurrë më parë

Politikë | 13 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të Paketës së Zgjerimit të Bashkimit Europian dhe vlerësimit pozitiv që Komisioni Europian i bëri Shqipërisë për ecurinë në procesin e integrimit europian.

Reagimi i kreut të qeverisë vjen pasi Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria në negociatat për anëtarësim, duke theksuar ritmin e reformave dhe avancimin e vendit në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Në një postim në platformën X, ish-Twitter, Rama e cilësoi raportin vjetor të progresit si vlerësimin më të lartë që Shqipëria ka marrë ndonjëherë nga institucionet europiane.

“Doli Raporti Vjetor i Progresit. Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë.

Një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Europiane. Një tjetër dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese nga Komisioni Europian. Një tjetër hap përpara drejt objektivit historik të bashkimit me Europën”, shkruan Rama.

Kryeministri thekson se pavarësisht vlerësimit pozitiv, vendi ka ende shumë detyra për të përmbushur në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian dhe se afatet për realizimin e objektivave janë gjithnjë e më sfiduese.

“Por detyrat përpara nesh janë ende të shumta, kurse koha e kalendarit të ngjeshur të negociatave gjithnjë e më e ngushtë”, nënvizon ai.

Rama thekson gjithashtu se raporti pozitiv nuk i zbeh problemet e përditshme me të cilat përballen qytetarët shqiptarë, duke siguruar se qeveria do të vijojë të jetë e fokusuar në adresimin e tyre.

“Ky vlerësim nuk i bën as më të vogla, as më pak aktuale problematikat e jetës së përditshme të vendit, të cilat kanë pasur, kanë dhe do të kenë të gjithë vëmendjen time, të qeverisë, të shumicës parlamentare. Përkundrazi, vlerësimi i lartë i raportit të sotëm na motivon për të bërë ende më shumë dhe për t’i bërë gjërat ende më mirë”, shprehet kreu i qeverisë.

Në mesazhin e tij, Rama e konsideron momentin aktual si një mundësi historike për Shqipërinë, duke theksuar se dera e Bashkimit Europian është më e hapur se kurrë më parë për vendin.

“Momenti është optimal. Dera e BE-së është e hapur dhe mundësia e hyrjes është më reale se kurrë. Historia nuk do të na e falte kurrësesi mbytjen në lugën e ujit të pistë të dasive, mllefeve e gjelozive që e kanë penguar vazhdimisht Shqipërinë të ngrihet në lartësinë e potencialit të saj.”

Në përfundim të reagimit të tij, Kryeministri Rama përcolli një mesazh optimizmi për të ardhmen europiane të vendit.

“Kokën lart dhe përpara Shqipëri në 🇪🇺”, përfundon ai.

Komisioni Europian, në Paketën e Zgjerimit të prezantuar nga komisionerja Marta Kos, vlerësoi se Shqipëria ka shënuar progres të rëndësishëm në zbatimin e reformave, duke mbyllur katër kapituj negociues dhe duke ruajtur objektivin ambicioz për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027. Sipas Brukselit, vendi duhet të vijojë reformat në sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e medias dhe mbrojtjen e mjedisit, fusha që konsiderohen kyçe si për integrimin europian, ashtu edhe për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme