Vetëm tre lojtarë para tij: Karl bëhet pjesë e një grupi elitar në Champions

4 Nëntor 2026
14:40
Telesport
back button

Goli i Karlit, që hapi ndeshjen ndaj “Rojiblancos” të martën në mbrëmje, ishte goli i tij i pestë në karrierë në Champions.

Në moshën 18 vjeç e 254 ditë, Karl u bë lojtari i katërt më i ri që arrin kuotën e pesë golave ​​në Champions League. Vetëm Lamine Yamal i Barcelonës (17 vjeç, 291 ditë), Kylian Mbappe i Real Madridit (18 vjeç, 120 ditë) dhe legjenda e “Los Blancos”, Raul (18 vjeç, 162 ditë), ishin më të rinj se sulmuesi i Bayern Munichut në momentin kur shënuan golin e tyre të pestë.

Ky ishte goli i parë i Karlit në këtë kompeticion për sezonin aktual. Katër golat e tjerë, përfshirë një që hyri në histori, i kishte shënuar sezonin e kaluar. Në të gjitha kompeticionet, 18-vjeçari ka regjistruar dy gola dhe dy asiste në 13 paraqitje zyrtare gjatë sezonit 2026/27.

Pas shënimit të golit, Karl vendosi të dyja duart te veshët dhe bëri gjestin “bla-bla” – një mënyrë festimi që tërhoqi vëmendjen e gjerë të mediave.

Pse Lennart Karl e zgjodhi këtë mënyrë festimi kundër Atletico Madridit?

Ky “thumbim” ndaj kritikëve të tij, në teori, mund t’i jetë drejtuar – ndër të tjera – edhe presidentit të nderit dhe figurës kyçe të klubit, Uli Hoeneß. Pikërisht Hoeneß ishte ai që ndezi debatin e fundit publik rreth 18-vjeçarit.

Në një intervistë për “Welt am Sonntag”, Hoeneß u shpreh për Karlin: “Kam vendosur të zhvilloj një bisedë serioze me të.” Ai theksoi se Karl është “larg së qenit një superyll; lojtarët e rinj kanë nevojë për përulësi. Krahasimet me Olisen nuk i bëjnë aspak mirë; ata janë ende shumë larg njëri-tjetrit”.

“Lojtarët e rinj kanë nevojë edhe për presion. Për shembull, nuk e di nëse i bën ndonjë të mirë Lennart Karl-it fakti që njerëzit thjesht e përqafojnë gjithmonë”.

Nga ana tjetër, Karl-i mori mbështetje nga shoku i skuadrës, Manuel Neuer, i cili i tha DAZN-it pas fitores ndaj Atletikos se njerëzit nuk duhet t’i japin më shumë rëndësi sesa ka:

“Lenny është një pjesë shumë e rëndësishme e ekipit. Ai është pjesë e grupit, prandaj jemi të lumtur për të. Ne gjithmonë i urojmë paraqitje sa më të mira dhe të shkëlqyera. Ai e tregoi sërish këtë sot”.

40-vjeçari shtoi: “Nuk ka asgjë për të diskutuar dhe asgjë për ta bërë çështje”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit