E mërkurë, 4 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Marta Kos ‘i tërheq veshin’ Ramës: Ndrysho ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe Investimet Strategjike
Lajme

Marta Kos ‘i tërheq veshin’ Ramës: Ndrysho ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe Investimet Strategjike

Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe protestat që vijojnë kundër qeverisë së Edi Ramës, duke përcjellë një mesazh të qartë për përgjegjësitë që ka vendi në procesin e integrimit europian.

E pyetur për situatën në Shqipëri, Kos u ndal veçanërisht te kërkesat e protestuesve, duke theksuar se qeveria duhet të ndërhyjë në legjislacionin për Zonat e Mbrojtura dhe Investimet Strategjike. Sipas saj, ndryshimet në këto dy fusha janë të nevojshme edhe në kuadër të përmbushjes së standardeve që kërkon procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Gjatë përgjigjes së saj, zyrtarja europiane bëri gjithashtu dallimin mes protestave të dhunshme dhe atyre që zhvillohen përmes kërkesave të qarta, duke nënvizuar se procesi i integrimit nuk mund të ecë përpara pa përmbushjen e detyrimeve nga ana e Shqipërisë.

“Ne e dimë se çfarë kërkojnë protestuesit. Ne e dimë se ka një dallim mes protestuesve të dhunshëm dhe atyre që kanë nisur të protestojnë me një qëllim të qartë. Procesi i integrimit është ndërtuar në një mënyrë të tillë që vendi të ecë përpara dhe nuk mund të ecë përpara nëse nuk përmbush detyrimet”, u shpreh Kos.

Ajo vuri theksin edhe te kapitulli i mjedisit, të cilin e cilësoi si një prej më të vështirëve në negociatat e anëtarësimit. Në këtë drejtim, komisionerja theksoi se qeveria shqiptare duhet të rishikojë disa prej amendamenteve dhe dispozitave që lidhen me Zonat e Mbrojtura dhe ligjin për Investimet Strategjike.

“Qeveria duhet të ndryshojë disa nga amendamentet dhe ligjin për Investimet Strategjike. Janë pikërisht këto çështje që kërkojnë protestuesit. Ne presim dialogun mes qeverisë dhe anëtarëve të tjerë, sepse mbi dialogun bazohet edhe procesi i integrimit”, deklaroi komisionerja europiane.

Deklaratat e Marta Kos vijnë në një moment kur protestat kundër qeverisë Rama vijojnë, ndërsa çështjet e mbrojtjes së mjedisit, administrimit të territoreve dhe dhënies së statusit të investitorit strategjik janë kthyer në pjesë të debatit publik. Mesazhi nga Brukseli e vendos edhe një herë në vëmendje detyrimin e qeverisë për të harmonizuar legjislacionin shqiptar me standardet europiane, përfshirë ato që lidhen drejtpërdrejt me kërkesat e ngritura nga protestuesit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.