Kryeministri Edi Rama në platformën X:
“Doli Raporti Vjetor i Progresit. Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë.
Një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Europiane.
Një tjetër dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese nga Komisioni Europian.
Një tjetër hap përpara drejt objektivit historik të bashkimit me Europën.
Por detyrat përpara nesh janë ende të shumta, kurse koha e kalendarit të ngjeshur të negociatave gjithnjë e më e ngushtë.
Dhe ky vlerësim nuk i bën as më të vogla, as më pak aktuale problematikat e jetës së përditshme të vendit, të cilat kanë pasur, kanë dhe do të kenë të gjithë vëmendjen time, të qeverisë, të shumicës parlamentare. Përkundrazi, vlerësimi i lartë i raportit të sotëm na motivon për të bërë ende më shumë dhe për t’i bërë gjërat ende më mirë.
Momenti është optimal. Dera e BE është e hapur dhe mundësia e hyrjes është më reale se kurrë. Historia nuk do të na e falte kurrësesi mbytjen në lugën e ujit të pistë të dasive, mllefeve e gjelozive që e kanë penguar vazhdimisht Shqipërinë të ngrihet në lartësinë e potencialit të saj”, shkruan Rama.
Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2026 paraqet një vlerësim përgjithësisht pozitiv për ecurinë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht për reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, transformimin digjital, energjinë dhe politikën ekonomike.
“Një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027”, thotë raporti.
Në 127 faqe raport, KE thotë se objektivi për mbylljen e negociatave në 2027-ën është i arritshëm, por gjithsesi ngre disa problematika. Ndonëse vlerëson punën poziitve në SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, KE thotë se sfidë reale për vendin tonë që duhet adresuar mbetet korrupsioni.
Raporti ndalet edhe te mos heqja e imunitetit të ish-zvkryeministres Belinda Ballukut, duke e cilësuar si shqetësim për funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës mes pushteteve.