Wednesday / November 4 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Raporti i progresit: Fondet e IPARD III mbeten të bllokuara, nuk u plotësuan kushtet

Share Share Icon

Shqipëria duhet të përmbushë ende kushtet e kërkuara nga Bashkimi Europian për administrimin e fondeve IPARD III, të destinuara për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Komisioni Europian, në Raportin e Progresit për vitin 2026, kërkoi forcimin e sistemeve të menaxhimit financiar, kontrollit dhe kapaciteteve administrative, në mënyrë që vendit t’i besohet zbatimi i buxhetit të këtij programi.

Sipas raportit, autoritetet shqiptare kanë paraqitur dy kërkesa për marrjen e përgjegjësisë së administrimit të fondeve IPARD III, përkatësisht më 1 prill dhe 18 qershor 2026. Megjithatë, Komisioni thekson se Shqipëria duhet të sigurojë përmbushjen e të gjitha parakushteve për marrjen e kësaj përgjegjësie, në përputhje me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar.

Kërkesa e Komisionit lidhet me aftësinë e institucioneve shqiptare për të administruar dhe kontrolluar përdorimin e financimeve europiane, duke garantuar që fondet të shpërndahen sipas rregullave dhe të përdoren për qëllimet e miratuara.

Në raport, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë disa përparime në ngritjen e strukturave të nevojshme për administrimin e mbështetjes bujqësore, por kapacitetet teknike dhe njerëzore mbeten të pamjaftueshme.

Një nga detyrat kryesore është përparimi në ngritjen e Sistemit të Integruar të Administrimit dhe Kontrollit (IACS), i cili shërben për identifikimin e përfituesve, verifikimin e të dhënave dhe kontrollin e mbështetjes financiare për fermerët.

Regjistri i fermave ende nuk është përafruar plotësisht me kërkesat e Bashkimit Europian, ndërsa Sistemi i Identifikimit të Parcelave Bujqësore (LPIS) vazhdon të jetë në proces zhvillimi.

Për ngritjen e sistemit të identifikimit të parcelave është parashikuar një financim prej 8 milionë eurosh deri në vitin 2028. Sipas Komisionit, deri tani janë realizuar dy ushtrime pilot për verifikimin e parcelave, identifikimin e deklarimeve të mbivendosura dhe kontrollin e cilësisë së të dhënave.

Ndërkohë, Shqipëria po përgatit edhe planin për ngritjen e agjencisë së ardhshme të pagesave, një tjetër element i rëndësishëm i strukturës institucionale të kërkuar për administrimin e mbështetjes bujqësore sipas modelit europian.

Komisioni kërkon përshpejtimin e ngritjes së këtyre strukturave dhe forcimin e kapaciteteve për zbatimin e sistemeve të kontrollit.

Një tjetër detyrim lidhet me parandalimin dhe evidentimin e parregullsive financiare. Sipas raportit, autoritetet shqiptare duhet të garantojnë mekanizma për parandalimin, zbulimin dhe raportimin e parregullsive, në përputhje me kërkesat për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian.

Për sektorin bujqësor, përmbushja e këtyre kushteve është e rëndësishme për të mundësuar administrimin e financimeve IPARD III, të cilat synojnë mbështetjen e investimeve në modernizimin e fermave, përpunimin e produkteve bujqësore dhe zhvillimin e ekonomisë rurale.

 

IPARD, 240 milionë euro fonde të munguara bujqësinë shqiptare

Programi IPARD është instrumenti i Bashkimit Europian për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural në vendet kandidate për anëtarësim. Shqipëria nisi përgatitjet përmes skemës pilot IPARD-like gjatë viteve 2012–2013, ndërsa zbatimi i programit IPARD II u autorizua në tetor 2018.

Programi IPARD II, për periudhën 2014–2020, kishte një financim publik të parashikuar prej 94 milionë eurosh, nga të cilat 71 milionë euro ishin fonde të Bashkimit Europian dhe 23 milionë euro bashkëfinancim nga buxheti shqiptar. Fondet u orientuan kryesisht drejt modernizimit të fermave, investimeve në makineri dhe pajisje, përpunimit agro-ushqimor dhe zhvillimit rural.

Megjithatë, në korrik 2023, Komisioni Europian ndërpreu rimbursimet e IPARD II, pas shqetësimeve për administrimin dhe kontrollin e fondeve.

Programi pasardhës IPARD III, për periudhën 2021–2027, parashikon 146.4 milionë euro financim publik, nga të cilat 112 milionë euro janë fonde të BE-së dhe 34.4 milionë euro kontribut i qeverisë shqiptare. Financimi i parashikuar është rreth 55% më i lartë se në programin e mëparshëm.

Në total, të dy programet përfaqësojnë rreth 240 milionë euro financime publike të programuara, përfshirë 183 milionë euro nga BE-ja. Këto shuma nuk përfaqësojnë fondet e disbursuara.

Në raportin e vitit 2026, Komisioni Europian evidenton se Shqipëria ka paraqitur kërkesat për administrimin e IPARD III më 1 prill dhe 18 qershor 2026, por duhet të përmbushë ende kushtet për menaxhimin e shëndoshë financiar dhe kontrollin e fondeve.

Përmbushja e këtyre kërkesave mbetet vendimtare për përdorimin e financimeve të reja europiane në bujqësi dhe zhvillimin rural.

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Sejko: Me pagesat elektronike mund të kursejmë më shumë se 400 milionë euro në vit

Përdorimi i pagesave elektronike dhe sistemi i pagesave të shpejta mund t’i kursejë ekonomisë më shumë se 400 milionë euro në vit. Guvernatori i Ba...

3 hours më parë 6 Min Lexim

82 mijë automjete shtohen në rrugët vendit për 10 mujorin; rritje e fortë e elektrikeve në tetor

Numri i mjete që qarkullojnë në rrugët e vendit sa vjen e po shtohet, ndonëse me ritme më të ngadalësuara se dy vitet e mëparshme. Tetori ka shënua...

3 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!