Raporti i Progresit: Kosova pa përparim në ekonomi, korrupsion dhe drejtësi

Kosova vazhdon të ngecë në disa nga reformat kryesore që duhet ta afrojnë me Bashkimin Evropian. Gjyqësori nuk ka shënuar asnjë përparim, lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultate të kufizuara, ndërsa krizat politike kanë dobësuar funksionimin e institucioneve dhe ka prekur ekonominë.
Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2026, në të cilin evidentohen ngecje dhe sfida të rëndësishme në zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Dokumenti paraqet një pasqyrë të gjendjes së vendit në rrugën drejt integrimit evropian, duke vënë në pah se reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian ende nuk kanë prodhuar rezultatet e pritshme.
Në fokus të raportit janë edhe problemet e ekonomisë së Kosovës, e cila, pavarësisht njëfarë progresi në zhvillimin e ekonomisë së tregut, vazhdon të ketë përgatitje të kufizuara për përballjen me konkurrencën dhe presionet e tregut të Bashkimit Evropian.
Ekonomia me konkurrueshmëri të dobët, varësi nga importet.
Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka shënuar njëfarë progresi në zhvillimin e ekonomisë së tregut, por përgatitjet për t’u përballur me konkurrencën evropiane mbeten të kufizuara.
Raporti evidenton probleme strukturore të ekonomisë, përfshirë papunësinë, pjesëmarrjen e ulët të grave në tregun e punës, varësinë nga importet dhe konkurrueshmërinë e dobët të bizneseve.
Këto sfida vazhdojnë të kufizojnë potencialin ekonomik të vendit dhe kërkojnë reforma më të thella për krijimin e një ekonomie më produktive, më konkurruese dhe të orientuar drejt prodhimit dhe eksportit.
Në sektorin e energjisë, Komisioni Evropian evidenton vonesa në realizimin e reformave dhe projekteve të energjisë së ripërtëritshme. Kosova vazhdon të mbështetet kryesisht në termocentralet e vjetra me linjit, ndërsa kërkohet përshpejtimi i investimeve dhe harmonizimi i legjislacionit me standardet evropiane.
Prokurimi publik prej një miliard eurosh, sektor i cenueshëm nga korrupsioni
Një prej çështjeve të rëndësishme të trajtuara në raport është edhe prokurimi publik, ku gjatë vitit 2025 vlera e kontratave të nënshkruara arriti në rreth një miliard euro.
Megjithëse procedurat e hapura përbënin 92.41 për qind të kontratave, Komisioni Evropian vlerëson se sektori vazhdon të jetë i cenueshëm nga parregullsitë dhe korrupsioni.
Planifikimi i dobët, vonesat në procedura dhe mosrespektimi i rregullave të prokurimit publik janë ndër problemet e evidentuara në këtë sektor, i cili përfshin shpenzime të konsiderueshme të parasë publike.
Raporti kërkon përmirësimin e funksionimit të sistemit të prokurimit publik, forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe zbatimin e rregullave në mënyrë më efektive.
Korrupsioni, mungesë rezultatesh në rastet e nivelit të lartë.
Në luftën kundër korrupsionit, Komisioni Evropian evidenton mangësi në ndjekjen dhe dënimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë.
Raporti kërkon rezultate më konkrete në luftimin e këtij fenomeni, si dhe një strategji të qartë kombëtare që do të mundësonte përmirësimin e mekanizmave institucionalë dhe rritjen e efektivitetit të luftës kundër korrupsionit.
Korrupsioni dhe mangësitë në zbatimin e ligjit mbeten ndër sfidat që ndikojnë në funksionimin e institucioneve dhe në besimin e qytetarëve ndaj tyre.
Drejtësia pa përparim, ndikimet politike dhe ekonomike shqetësojnë BE-në
Një prej vlerësimeve më kritike të raportit lidhet me sistemin e drejtësisë, ku Komisioni Evropian konstaton mungesë të plotë të përparimit në funksionimin e tij.
BE-ja paralajmëron se ndikimet politike dhe ekonomike mbi gjyqësorin janë intensifikuar, duke kërkuar forcimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
Përveç pavarësisë, raporti kërkon rritjen e efikasitetit të gjykatave dhe prokurorisë, përmirësimin e llogaridhënies dhe avancimin e reformave që do të garantonin funksionim më efektiv të institucioneve të drejtësisë.
Kriza institucionale dhe reformat e vonuara.
Komisioni Evropian vlerëson se bllokada e zgjatur institucionale ka penguar punën e institucioneve dhe ka ngadalësuar zbatimin e agjendës evropiane.
Raporti kërkon përkushtim më të madh politik për të çuar përpara proceset e reformave, duke theksuar rëndësinë e funksionimit demokratik dhe të institucioneve në përmbushjen e obligimeve që Kosova ka në rrugën drejt BE-së.
Dialogu me Serbinë dhe liria e mediave
Në raport trajtohet edhe dialogu me Serbinë, ku zbatimi i marrëveshjeve të arritura vlerësohet me përparim të kufizuar.
BE-ja kërkon zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe obligimeve të tjera të marra në kuadër të dialogut, duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve mbetet kusht i rëndësishëm për avancimin e Kosovës drejt integrimit evropian.
Kritika janë paraqitur edhe në fushën e lirisë së mediave. Komisioni Evropian kërkon më shumë transparencë në pronësinë e mediave, mbrojtje më të mirë për gazetarët dhe forcimin e pavarësisë së institucioneve mediale.
Megjithatë, raporti përmban edhe vlerësime pozitive, përfshirë përputhjen e plotë të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, si dhe progresin në bashkëpunimin ndërkombëtar policor dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Raporti i Progresit 2026 mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026 dhe paraqet gjendjen e reformave dhe sfidave të Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









