Prishtina fitoi 2:1 ndaj Dritës të mërkurën në Gjilan, në ndeshjen e mbetur të xhiros së dytë të Superligës së Kosovës në futboll. Kjo ishte humbja e parë e Dritës pas katër fitoreve radhazi.
Tri pikët e ngjitën Prishtinën në vendin e parë me 29 pikë. Malisheva renditet pas saj me 27 pikë, ndërsa Drita është e treta me 23.
Të lidhura
None found
Blend Baftiu i dha epërsinë Prishtinës në minutën e shtatë. Blerim Krasniqi barazoi për Dritën në minutën e 19-të, përpara se Ardian Hasani të shënonte golin e fitores në minutën e 59-të.
Prishtina mori kështu një fitore ndaj skuadrës që e kishte mposhtur 3;0 para dhjetë ditësh, në kuadër të xhiros së 11-të.
Në xhiron e 13-të, që zhvillohet këtë vikend, Prishtina do të luajë si mysafire ndaj Vushtrrisë, kurse Drita do të përballet me Drenicën në Skenderaj.






