Protesta studentore kundër qeverisë së Edi Ramës ka vijuar edhe këtë të mërkurë para Ministrisë së Arsimit, ku studentëve të Mjekësisë dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës u janë bashkuar edhe studentët e Fakultetit të Politeknikut dhe të Ekonomikut.
Për të 23-ën ditë radhazi, të rinjtë vijojnë protestën, duke këmbëngulur në kërkesat e tyre dhe duke artikuluar thirrje për ndryshim të situatës politike në vend.
Me sloganin “Pa rini nuk ka Shqipëri”, ata kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar dorëheqjen e tij si kusht të panegociueshëm.
Studentët shprehen se nuk do të tërhiqen nga protesta pa plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa kundërshtojnë atë që e konsiderojnë mungesë perspektive për të rinjtë, korrupsion dhe keqqeverisje.
Protesta studentore, prej javësh është shoqëruar me bojkot të mësimit, marshime dhe përplasje me policinë.













