Komisioni Europian ka ngritur shqetësime për funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, duke vënë në fokus edhe vendimin e Kuvendit për të mos miratuar kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Në progresraportin për Shqipërinë, KE vlerëson se ky vendim ngre pikëpyetje mbi funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve, si dhe mbi respektimin e parimit të barazisë së qytetarëve përpara ligjit.
Kritikat e Brukselit shtrihen edhe te mbikëqyrja parlamentare ndaj qeverisë, e cila, sipas raportit, mbeti e dobët. Komisioni evidenton mungesën e debateve domethënëse për programin e qeverisë së re, paraqitjet e parregullta të ministrave në seancat e pyetjeve parlamentare dhe rolin e kufizuar të Kuvendit në procesin legjislativ.
Raporti vë në dukje gjithashtu se kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare u refuzuan sistematikisht, pa u zhvilluar debat për to.
Sa i përket çështjes së Ballukut, Komisioni thekson se, pas një vonese të gjatë, Kuvendi votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
**Pjesë nga progresraporti i Komisionit Europian për Shqipërinë:**
“Mbikëqyrja e ekzekutivit nga Parlamenti mbeti e dobët. Në shtator 2025, nuk u zhvillua asnjë debat domethënës mbi programin e qeverisë së re. Paraqitjet e anëtarëve të Këshillit të Ministrave në seancat e pyetjeve parlamentare ishin të parregullta.
Shumica e nismave legjislative u paraqitën nga Këshilli i Ministrave. Edhe në rastet kur nismat paraqiteshin nga Parlamenti, ato vinin kryesisht nga partia në pushtet. Kjo dobësoi rolin dhe përgjegjësinë e Parlamentit në procesin legjislativ, si dhe kufizoi dialogun ndërmjet forcave politike. Kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare u refuzuan sistematikisht, pa u zhvilluar asnjë debat.
Pas një vonese të gjatë, Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Kjo ngre shqetësime lidhur me funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve, si dhe respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit.”
