Ukraina duhet t'i përshpejtojë reformat nëse Kievi dëshiron të arrijë qëllimin e tij lidhur me negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, deklaroi Komisioni Evropian në një raport të mërkurën. "Qeveria ukrainase ka shprehur synimin e saj për t'i përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2028," njoftoi organi ekzekutiv i BE-së në një raport mbi politikën e zgjerimit. "Komisioni është i përkushtuar ta mbështesë këtë objektiv ambicioz, por vlerëson se, për ta arritur atë, kërkohet një përshpejtim i ritmit të reformave," shtoi ai. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka bërë anëtarësimin në BE një qëllim thelbësor të politikës së jashtme, duke e paraqitur atë si një mënyrë për të siguruar prosperitet dhe siguri afatgjatë, si për vendin e tij ashtu edhe për Evropën në tërësi, përballë agresionit rus. Procesi i anëtarësimit në bllok është zakonisht i gjatë dhe burokratik; ai përfshin vite të tëra negociatash të detajuara dhe reformash ligjore për të përmbushur standardet e BE-së. Anëtarësimi kërkon gjithashtu ratifikimin nga të gjithë anëtarët aktualë të BE-së. "Në rrethanat e vështira të krijuara nga lufta e vazhdueshme e agresionit rus, Ukraina ka mbetur e përkushtuar ndaj agjendës së reformave për integrimin në BE," theksoi Komisioni në raportin e tij. Ai shtoi se Ukraina tani duhet të përqendrohet në përmbushjen e standardeve të sundimit të ligjit dhe zbatimin e planit të veprimit për pakicat kombëtare, si dhe se Kievi duhet të zbatojë reformën në drejtësi dhe të tregojë përparim në luftën kundër korrupsionit. Liderët evropianë u dhanë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendit kandidat në qershor të vitit 2022. Në raportin e tij, Komisioni vuri në dukje se Moldavia po përparon më shpejt se Ukraina në zbatimin e reformave. "Qeveria e Moldavisë ka shprehur synimin e saj për t'i përmbyllur përkohësisht negociatat e anëtarësimit deri në fillim të vitit 2028. Komisioni është i përkushtuar ta mbështesë këtë objektiv – i cili është ambicioz, por i arritshëm – me kusht që Moldavia të ruajë ritmin aktual të reformave," thuhet në raport.