Sport

Kërcënime dhe fyerje me vdekje, tenistja britanike në shënjestër të bixhozxhinjve…

Jodie Burrage përjeton një rikthim makthi në tenis. Pas humbjes në turneun Chennai Open, britanikja u bombardua me fyerje dhe kërcënime në Instagram, shumë prej të cilave dyshohet se vinin nga persona që kishin humbur baste sportive.

Një tjetër rast shqetësues i abuzimit online ndaj sportistëve vjen nga tenisi. Këtë herë në shënjestër ka përfunduar britanikja Jodie Burrage, e cila ka marrë një lumë fyerjesh dhe madje kërcënime me vdekje në rrjetet sociale, pas humbjes në ndeshjen e saj të parë në një turne të WTA-së pas 16 muajsh. Tenistja 27-vjeçare u eliminua të martën në raundin e 32-shes të Chennai Open, pasi u mposht 2-1 me sete (3-6, 6-3, 7-5) nga indiania Vaishnavi Adkar. Por, përtej rezultatit sportiv, ajo që e priste pas ndeshjes ishte edhe më e rëndë.

Burrage publikoi në Instagram një video ku shfaqej një seri e gjatë mesazhesh fyese dhe kërcënuese që kishte marrë në llogarinë e saj. Një pjesë e madhe e tyre dyshohet se vinin nga lojtarë të basteve sportive, të zemëruar për humbjen e parave që kishin vendosur në ndeshjen e saj.

Krahas videos, britanikja shoqëroi publikimin me një mesazh ironik, por njëkohësisht domethënës: “Një mirëseardhje e mrekullueshme përsëri në turne. Tani kujtova pse u largova.” Rasti i Burrage rikthen në vëmendje një problem gjithnjë e më shqetësues në sportin profesionist: kërcënimet dhe sulmet ndaj atletëve nga persona që humbasin baste sportive. Tenistët janë veçanërisht të ekspozuar ndaj këtij fenomeni, pasi bastet vendosen edhe për rezultate individuale dhe çdo pikë e humbur mund të shndërrohet në shkak për një valë abuzimesh në internet.