U raportua se e sulmoi ariu, zbardhet ngjarja në Bulqizë, arrestohen bashkëshortja dhe djali i viktimës

Është zbardhur ngjarja në fshatin Godvi të Bulqizës, ku një 57-vjeçare dhe djali i saj 33-vjeçar janë ndaluar nga Policia, të dyshuar për vrasjen e 57-vjeçarit me inicialet U.F..
Fillimisht, familjarët raportuan se ai kishte humbur jetën pas sulmit nga një ari, por hetimet dhe ekzaminimet mjekoligjore zbuluan se 57-vjeçari ishte vrarë me armë zjarri.
Ngjarja ka ndodhur më 3 nëntor 2026, ndërsa pas hetimeve të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur dokumentimi i saj.
Në vijim, u ndaluan bashkëshortja e viktimës, 57 vjeçe, dhe djali i tij, 33 vjeç, të dy banues në fshatin Godvi. Ata dyshohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse.
Gjatë veprimeve hetimore, Policia sekuestroi një pistoletë model 54, me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete të gjetur në oborrin e banesës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



