Aktualitet

Progresraporti për Shqipërinë/ KE: Fondet e IPARD III mbeten të bllokuara, nuk u plotësuan kushtet!

Shqipëria duhet të përmbushë ende kushtet e kërkuara nga Bashkimi Europian për administrimin e fondeve IPARD III, të destinuara për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Komisioni Europian, në progresraportin për vitin 2026, kërkon forcimin e sistemeve të menaxhimit financiar, kontrollit dhe kapaciteteve administrative.

Sipas raportit, autoritetet shqiptare kanë paraqitur dy kërkesa për marrjen e përgjegjësisë së administrimit të fondeve IPARD III, përkatësisht më 1 prill dhe 18 qershor 2026. Megjithatë, Komisioni thekson se Shqipëria duhet të sigurojë përmbushjen e të gjitha parakushteve që t’i rikthehen fondet IPARD III.

Kërkesa e Komisionit lidhet me aftësinë e institucioneve shqiptare për të administruar dhe kontrolluar përdorimin e financimeve europiane, duke garantuar që fondet të shpërndahen sipas rregullave dhe të përdoren për qëllimet e miratuara.

Në raport, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë disa përparime në ngritjen e strukturave të nevojshme për administrimin e mbështetjes bujqësore, por nevojitet forcimi i kapaciteteve teknike dhe njerëzore.

Një nga detyrat kryesore është përparimi në ngritjen e Sistemit të Integruar të Administrimit dhe Kontrollit (IACS), i cili shërben për identifikimin e përfituesve, verifikimin e të dhënave dhe kontrollin e mbështetjes financiare për fermerët.

Komisioni Europian ka publikuar këtë të mërkurë Progres-Raportin për Shqipërinë për vitin 2026, ku krahas problematikave në funksionimin, evidenton edhe një sërë vlerësimesh pozitive për vendin.

Në raport theksohet se Shqipëria ka përmbushur kriteret e ndërmjetme të kërkuara nga Bashkimi Europian në grupin e kapitujve të negociatave që lidhen me çështjet themelore, përfshirë drejtësinë, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Sa i përket ekonomisë, Komisioni konstaton se Shqipëria ruajti ritmin e fortë të rritjes gjatë vitit 2025, e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe turizmi. Ky i fundit ka ndikuar edhe në uljen e deficitit të llogarisë korrente në nivelin më të ulët historik. Raporti evidenton gjithashtu uljen e raportit të borxhit publik, përmirësimin e tregut të punës dhe qëndrueshmërinë e sektorit bankar.