Erion Veliaj është transferuar nga qelia, në spitalin e burgut të Fierit pas një frakture që ka në këmbë- dëmtim që e ka marrë gjatë kohës që mbahej në paraburgimin e Durrësit. Nga ky ambient, ai i ka dorëzuar avokatit Plarent Ndreca disa fletë ditari ku ka shkruar përgjigjet ndaj kërkesave të ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, të cilat do të publikohen.
Kryebashkiaku i Tiranës është zhvendosur nga sektori A i paraburgimit në sektorin spitalor që ndodhet brenda ambienteve te Burgut të Fierit.
Transferimi është kryer që të dielën (1 nëntor), pas ankesave të tij për mungesë të kujdesit mjekësor. Sipas avokatit të tij, Plarent Ndreca, ekzaminimi mjekësor ishte kërkuar në rrugë zyrtare prej 2 javësh, por nuk është kryer pavarësisht udhëzimeve të mjekut.
Transferimi i Veliajt në spitalin e burgut erdhi pas gjetjeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, si dhe ankesave të vetë Veliajt, i cili ka pretenduar se gjendja e tij shëndetësore nuk është marrë në konsideratë kur u krye transferimi me 28 tetor. Deri më tani nuk ka një informacion zyrtar nga Drejtoria e Burgjeve për kohën e qëndrimit të Veliajt në spital apo mbi trajtimin mjekësor që po merr Erion Veliaj.
Për transferimin e beftë, Veliaj përmes një letre akuzoi kryeministrin Edi Rama. Qytetari i parë i Tiranës thotë se ministri i drejtësisë Toni Gogu në vizitën e tij i kërkoi në emër të Ramës të heqë dorë nga Bashkia e Tiranës dhe t’ia lërë atë Arbër Hajdarit, duke e kërcënuar me 100 vite burg nëse nuk pranon. Ministri konfirmoi takimin me Veliajn, por mohoi akuzat.
Avokati Plarent Ndreca ka ndarë detaje nga takimi me kryebashkiakun Erion Veliaj i cili ndodhet në spitalin e burgut të Fierit për shkak të frakturës në këmbë. Ndreca thotë se prej dy javësh është kërkuar zyrtarisht ekzaminimi mjekësor, por ende nuk është realizuar.
I pari i Tiranës i ka dorëzuar edhe disa faqe nga ditari i tij me përgjigjet që i ka dhënë ministrit të Drejtësisë në takimin e së premtes. Përgjigjet do të publikohen.
“Dola nga takimi me Erionin.
1. Erioni është transferuar në ambientet spitalore të burgut të Fierit, për shkak të këmbës së thyer, e cila kërkon ende rikuperim dhe trajtim mjekësor. Ndërkohë, po bëhen gati dy javë që kemi kërkuar zyrtarisht kryerjen e ekzaminimit të nevojshëm për të vlerësuar ecurinë e konsolidimit të frakturës. Deri më sot, ky ekzaminim nuk është realizuar, pavarësisht kërkesave dhe udhëzimeve të mjekut që ndjek rikuperimin e tij.
2. Erioni më dorëzoi disa faqe të shkëputura nga ditari i tij personal, ku ka shkruar përgjigjet që i ka komunikuar Ministrit të Drejtësisë lidhur me kërkesat e bëra ndaj tij. Këto përgjigje do t’i bëjmë publike”, tha Ndreca.