Policia e Tiranës ka goditur dy raste të shitjes së lëndëve narkotike në kryeqytet, në kuadër të operacionit të koduar “Variety”.
Në pranga kanë rënë dy persona, të moshave 36 dhe 50 vjeç, të dyshuar për shpërndarje të kokainës dhe kanabisit.
Gjatë kontrolleve fizike, në banesa dhe në automjetet e të dyshuarve, policia ka gjetur dhe sekuestruar sasi dhe doza të lëndëve narkotike, një armë imituese pistolete me zara metalikë, automjete dhe telefona celularë.
Sipas njoftimit zyrtar, 36-vjeçari u kap në rrugën “Njazi Meka”, ku gjatë kontrollit të automjetit dhe banesës iu gjetën doza kokaine dhe kanabisi, si dhe arma imituese.
Ndërkohë, 50-vjeçari u arrestua në bulevardin “Zogu i Parë”, pasi në automjetin që drejtonte iu gjet kokainë e ndarë në doza, e dyshuar se ishte për shitje.
Materialet procedurale për të dy të arrestuarit i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.













