Komisioni Europian evidenton dobësi në ushtrimin e funksionit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj qeverisë, duke ngritur shqetësime edhe për vonesat në shqyrtimin e kërkesave të drejtësisë. Një prej rasteve që ilustron këto problematika është edhe çështja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas vlerësimit të Brukselit, paraqitjet e parregullta të ministrave në seancat e pyetjeve parlamentare, mungesa e debateve kuptimplota dhe dominimi i nismave ligjore nga Këshilli i Ministrave kanë dobësuar rolin e Kuvendit në procesin ligjvënës dhe kanë kufizuar dialogun politik.
Një tjetër çështje e evidentuar lidhet me mënyrën se si Kuvendi trajtoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Komisioni Europian nënvizon se, pas një vonese të gjatë, Parlamenti votoi kundër dhënies së autorizimit të kërkuar nga Prokuroria e Posaçme, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
“Mbikëqyrja e ekzekutivit nga Parlamenti vijoi të mbetej e dobët. Në shtator 2025 nuk u zhvillua asnjë debat kuptimplotë mbi programin e qeverisë së re. Paraqitjet e anëtarëve të Këshillit të Ministrave në seancat e pyetjeve parlamentare ishin të parregullta. Shumica e nismave ligjore u paraqitën nga Këshilli i Ministrave. Ndërsa nismat e paraqitura nga Kuvendi ishin, në pjesën më të madhe, nisma të deputetëve të partisë në pushtet. Kjo dobësoi rolin e Kuvendit në procesin legjislativ dhe kufizoi dialogun ndërmjet forcave politike. Kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore u rrëzuan sistematikisht, pa u zhvilluar debat.
Pas një vonese të gjatë, Kuvendi votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit të një deputeti, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Kjo ngre shqetësime lidhur me mekanizmat e kontrollit dhe balancës së pushteteve, si dhe me parimin e barazisë përpara ligjit”,- thuhet në raport.













