Një shpërthim i fuqishëm në një apartament në qytetin e Elbasanit ka shkaktuar një viktimë dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Si pasojë e ngjarjes tragjike, ka humbur jetën një 83-vjeçar, e cila banonte në apartamentin ngjitur me atë ku ndodhi shpërthimi.
Shpërthimi ka qenë aq i fortë sa ka shkaktuar shembjen e mureve të apartamentit, një pjese të shkallëve të pallatit, si dhe të tarracës së ndërtesës.
Përveç viktimës, tetë persona të tjerë kanë mbetur të asfiksuar. Sipas informacioneve paraprake, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, policia dhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë nisur evakuimin e banorëve dhe ndërhyrjen për shuarjen e zjarrit në apartamentin ku ndodhi shpërthimi.
E gjithë godina është evakuuar për arsye sigurie, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit dhe verifikimit të dëmeve vijojnë.
Ndërkohë, pritet ndërhyrja e plotë në apartamentin ku ndodhi shpërthimi, ndërsa ende nuk ka një informacion zyrtar mbi shkaqet dhe rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë.


