Protesta në ditën e 23-të, studentët mblidhen te Kryeministria dhe kërkojnë largimin e Ramës

Në ditën e 23-të të protestës, studentët kanë mbërritur para Kryeministrisë pas disa orësh tubimesh dhe marshimesh në universitetet e Tiranës. Përpara godinës së qeverisë, ata po vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Edhe sot në mëngjes, Rama u drejtoi të rinjve një tjetër ftesë për bisedime. Megjithatë, studentët nuk kanë pranuar ofertat e tij të përsëritura për dialog, duke theksuar se largimi i kryeministrit është kërkesa e tyre kryesore, për të cilën nuk pranojnë negociata.

Të lidhura

None found

Tubimi i sotëm e pati pikënisjen pranë Universitetit Politeknik të Tiranës. Prej andej, protestuesit morën drejtimin e Fakultetit Ekonomik e më pas të Ministrisë së Arsimit, ku qëndruan për disa orë. Gjatë qëndrimit, ata kërkuan largimin e qeverisë dhe ftuan studentët e tjerë të bëheshin pjesë e lëvizjes.

Marshimi u shoqërua me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë. Të rinjtë kërkuan gjithashtu që procesi mësimor të bojkotohet, si mënyrë për të shprehur kundërshtimin ndaj situatës politike në vend.

Studentë të fakulteteve të tjera, mes tyre nga Mjekësia dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës, iu bashkuan tubimit përpara Ministrisë së Arsimit. Në një çast, pjesëmarrësit kënduan në kor himnin kombëtar dhe më pas vazhduan protestën.

Pas zhvendosjes së studentëve te Kryeministria, në orët e ardhshme pritet që tubimit t’i bashkohen edhe qytetarë të tjerë, për të mbështetur kërkesat e të rinjve.

Prej disa javësh, kryeqyteti është përfshirë nga protestat studentore, të cilat kanë marrë formën e bojkotit të mësimit, marshimeve në fakultete dhe grumbullimeve pranë institucioneve shtetërore. Të rinjtë kanë bërë të ditur se nuk do t’i ndalin protestat pa u përmbushur kërkesat e tyre.


Shtuar më 4.11.2026 16:44