Aktualitet

“Kati i katërt u shemb mbi të tretin”/ Detaje nga shpërthimi i fuqishëm në pallatin 5-katësh në Elbasan, bilanci i viktimave mund të rëndohet, një i moshuar ende i zhdukur!

Një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër rezulton ende i zhdukur pas shpërthimit të fuqishëm që tronditi një pallat pesëkatësh në qytetin e Elbasanit. Ndërkohë 8 persona janë në spital duke marrë ndihmë mjekësore, mes tyre dhe fëmijë.

Kastriot Skënderaj, drejtor i policisë Elbasan,  ka dhënë detaje të reja nga vendngjarja, duke zbuluar se shpërthimi ka shkaktuar dëmtime të rënda në strukturën e ndërtesës. Sipas tij, kati i katërt i pallatit është shembur mbi katin e tretë, ndërsa zjarri që përfshiu fillimisht këtë të fundit është përhapur edhe në katet e tjera.

Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e flakëve, ndërsa operacioni është përqendruar edhe në kërkimin e personave që mund të kenë mbetur nën rrënoja.

Sipas informacioneve të dhëna nga zjarrfikësit, viktima është gjetur në katin e pestë të ndërtesës, ndërsa një i moshuar rezulton ende i pagjetur.

“Bëhet fjalë për një pallat pesëkatësh. Ka dëmtime të strukturës së pallatit. U shemb kati i katërt, i cili ra mbi katin e tretë. Morëm masa për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e zjarrit, që fillimisht ishte në katin e tretë dhe më pas u përhap në katet e tjera. Viktima u gjet në katin e pestë, ndërsa një i moshuar ende nuk është gjetur”, kanë bërë të ditur shërbimet zjarrfikëse.

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, ka dalë në një deklaratë për mediat lidhur me shpërthimin e fuqishëm në pallatin 5-katësh, që shkaktoi dëme të rënda strukturore dhe humbjen e jetës së një 83-vjeçareje. Ndërkohë, sipas tij 10 persona janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe kontrolle, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e 69-vjeçarit që rezulton ende i pagjetur.

“Një shpërthim ka ndodhur në një pallat 5-katësh. Është vënë re një dëmtim i strukturës së pallatit. Kemi pasur një shembje të katit të 4-t, i cili ka rënë në katin e 3-të, si dhe të shkallëve lidhëse nga kati i 3-të në katin e 5-të.

Në momentin e shpërthimit ka pasur fillimisht një zjarr në katin e 3-të, i cili është përhapur. Kemi pasur, fatkeqësisht, një humbje jete, një grua 83-vjeçare, e cila ishte në katin e 5-të. Një 69-vjeçar akoma nuk është gjetur. Kemi pasur 10 persona që janë dërguar në spital për ndihmë dhe kontrolle mjekësore.

Njëri nga sektorët e pallatit është bërë i pabanueshëm dhe besojmë se do të jetë e pabanueshme një pjesë e pallatit, por i gjithë pallati paraqet probleme”, u shpreh ai.