Vendosni fjalën kyçe....

SHBA investon mbi 40 milionë dollarë për sigurinë kibernetike të Shqipërisë


Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar më shumë se 40 milionë dollarë për të forcuar mbrojtjen kibernetike të Shqipërisë ndaj kërcënimeve të sponsorizuara nga qeveri të huaja.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada amerikane në Tiranë, përmes një reagimi në kuadër të Konferencës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Shqipërisë.

Gjatë konferencës, ambasadori amerikan Eric Wendt vlerësoi përparimin e Shqipërisë në ndërtimin e qëndrueshmërisë digjitale dhe forcimin e kapaciteteve për t’u përballur me sulmet kibernetike.

Ai vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e trajnimit të specialistëve të rinj, përmes bashkëpunimit mes dy vendeve dhe programeve të posaçme, si CyberNext.

Sipas Ambasadës amerikane, mbështetja financiare dhe teknike synon të rrisë aftësinë e Shqipërisë për të mbrojtur sistemet dhe infrastrukturën e saj digjitale nga kërcënimet që vijnë nga aktorë të sponsorizuar nga shtete të huaja.

Në reagimin e saj, Ambasada thekson se bashkëpunimi mes dy vendeve nuk kufizohet vetëm te forcimi i kapaciteteve shqiptare, por lidhet edhe me sigurinë më të gjerë të aleancës së NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara kanë investuar më shumë se 40 milionë dollarë për të forcuar mbrojtjen e sigurisë kibernetike të Shqipërisë kundër kërcënimeve të sponsorizuara nga shteti. Në Konferencën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Shqipërisë, Ambasadori Eric Wendt theksoi progresin e Shqipërisë në ndërtimin e qëndrueshmërisë dixhitale dhe trajnimin e ekspertëve të ardhshëm përmes partneritetit me Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë programe si CyberNext”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.

Më tej, përfaqësia diplomatike nënvizon rëndësinë strategjike të këtij bashkëpunimi për krijimin e një infrastrukture më të sigurt digjitale në të dy vendet dhe brenda aleancës.

“Së bashku, po ndërtojmë një infrastrukturë digjitale më të fortë e më të sigurt për Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n”, theksohet në deklaratë.