Gjermania rikonfirmon mbështetjen për integrimin evropian të Kosovës

Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian. Kështu ka deklaruar ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, gjatë një diskutimi me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Kosovës.
Sipas ambasadës gjermane, në takim është diskutuar për ambiciet evropiane të Kosovës dhe mundësitë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.
Ambasadori Rudolph ka theksuar mbështetjen e Gjermanisë për agjendën evropiane të Kosovës, duke inkurajuar anëtarët e komisionit që të përshpejtojnë punën dhe reformat e nevojshme për avancimin e këtij procesi, shkruan Telegrafi.

Ai ka vlerësuar se, me institucionet tashmë të mandatuara plotësisht dhe funksionale, është koha që Kosova të krijojë kushtet për përparim të qëndrueshëm drejt integrimit evropian.
Ambasada gjermane ka theksuar se Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në këtë rrugëtim./Telegrafi/











































