Ky është djali që vrau babanë dhe gënjeu Policinë bashkë me nënën
Një ngjarje e rëndë është zbardhur në fshatin Godvi të Bulqizës, ku dy pjesëtarë të së njëjtës familje dyshohet se kanë vrarë kryefamiljarin dhe më pas janë përpjekur të paraqesin një version tjetër për rrethanat e vdekjes së tij.
Të ndaluarit janë Gazmir Fiku, 33 vjeç, dhe nëna e tij, Sadete Fiku, 57 vjeçe, të dy banues në Godvi. Ata dyshohen se kanë bashkëpunuar në vrasjen e Urim Fikut, përkatësisht bashkëshortit dhe babait të tyre.
Fillimisht, familjarët kanë njoftuar Policinë se Urim Fiku kishte humbur jetën pas sulmit nga një kafshë e egër, konkretisht një ari. Megjithatë, hetimet dhe ekzaminimet mjekoligjore kanë nxjerrë në pah një tjetër dinamikë: viktima ishte vrarë me armë zjarri.
Pistoleta dhe gëzhoja, prova të sekuestruara
Gjatë veprimeve hetimore, Policia ka sekuestruar një pistoletë të modelit 54, së bashku me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete të gjetur në oborrin e banesës.
Sipas dyshimeve të hetuesve, Urim Fiku është vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse, ndërsa nëna dhe djali dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim.
Policia ka referuar materialet në Prokurorinë e Dibrës për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.
Për momentin, motivet që çuan në këtë ngjarje të rëndë mbeten të paqarta. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe rolin e secilit prej dy të ndaluarve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



