Një histori e rëndë familjare në fshatin Godvi të Bulqizës mori një kthesë tronditëse pas hetimeve të Policisë. Vdekja e Urim Fikut, e raportuar fillimisht nga familjarët si pasojë e një sulmi nga ariu, rezultoi të ishte vrasje me armë zjarri. Për ngjarjen janë ndaluar bashkëshortja dhe djali i tij, të dyshuar se kanë bashkëpunuar për kryerjen dhe fshehjen e krimit.
Në pranga kanë përfunduar Sadete Fiku, 57 vjeçe, dhe Gazmir Fiku, 33 vjeç, banues në Godvi. Sipas Policisë, familjarët kishin deklaruar fillimisht se Urim Fiku kishte humbur jetën pasi ishte sulmuar nga një kafshë e egër.
Por hetimet dhe ekzaminimet mjekoligjore rrëzuan këtë version. Nga këqyrja e trupit rezultoi se viktima ishte vrarë me armë zjarri, ndërsa autoritetet dyshojnë se në ngjarje janë përdorur edhe mjete të forta prerëse.
Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se dy të ndaluarit dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim. Gjatë veprimeve hetimore u sekuestruan një pistoletë e modelit 54, fishekë dhe një gëzhojë pistolete e gjetur në oborrin e banesës.
Gazmir Fiku, i cili sipas raportimeve punonte prej më shumë se një dekade si supervizor në OSHEE, dyshohet si autor i vrasjes së të atit. Megjithatë, roli i secilit prej të ndaluarve dhe rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten objekt hetimi.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura motivet që mund të kenë çuar në këtë krim të rëndë familjar.



