Nga Irena Beqiraj
Në Shqipëri, kur çmimet rriten, shpjegimi është pothuajse gjithmonë gati "fajin e ka importi". Lufta, krizat ndërkombëtare, transporti, bursat... Një listë arsyesh që na vjen nga jashtë dhe që ka një avantazh të madh, nuk kërkon shumë shpjegime nga ata që e kanë për detyrë të bëjnë politika.
Në fund të fundit, është gjithmonë më e lehtë t'ia atribuosh shtrenjtimin e shportës së konsumatorit një lufte mijëra kilometra larg, sesa të shohësh se çfarë ndodh rrugës nga, dogana në supermarket.
Për të verifikuar këtë argument, mblodha të dhënat edhe krahasova ndryshimin e çmimeve mesatare të produkteve në zhdoganim me ndryshimin e çmimeve të tyre në tregun me pakicë gjatë periudhës 2020–2025.
Dhe shifrat, si zakonisht, janë më pak diplomatike e të kujdesshme se deklaratat.
Sheqeri është shtrenjtuar në import me 5,5%, ndërsa në tregun me pakicë me 69%. Mielli, përkatësisht është shtrenjtuar në import me 1,4% dhe në tregun me pakicë 34%. Qumështi me 3,2% në import dhe 42% në treg. Djathi me 7,5% në import dhe 100% në treg.
Pra, për çdo 1% rritje të çmimit të importit të miellit, çmimi në tregun shqiptar është rritur rreth me 24%
Por surprizat e vërteta fillojnë kur analizojmë produktet ku çmimet e importit kanë rënë, ndërsa ato në tregun vendas kanë marrë drejtimin e kundërt.
Fasulet janë bërë 21% më të lira në import, ndërsa në tregun me pakicë janë shtrenjtuar 92%. Kastravecat kanë rënë 15% në import, por janë rritur 78% në dyqane. Specat kanë rënë 15%, ndërsa çmimi në treg është rritur 71%. Domatet kanë rënë rreth 17% në import, por janë shtrenjtuar 55%.
Këto produkte kanë dy karakteristika të përbashkëta: janë produkte për të cilat ekziston edhe prodhim vendas dhe janë pjesë e shportës bazë ushqimore të familjeve shqiptare.
Këtu lind një pyetje që meriton më shumë vëmendje: a është prodhimi vendas ai që po i shtyn çmimet lart, apo rritja e çmimit të fasules po na tregon diçka tjetër për ekonominë shqiptare?
Kur konsumatori varfërohet, ai nuk pushon së ngrëni. Thjesht fillon të bëjë ekonomi edhe me atë që ha.
Heq dorë nga produktet më të shtrenjta, kufizon shumëllojshmërinë dhe përqendrohet te ushqimet bazë, më të lira dhe më ngopëse. Në ekonomi, disa prej tyre njihen si "mallra inferiore" produkte për të cilat kërkesa mund të rritet kur të ardhurat reale bien, sepse konsumatori zëvendëson me to ushqimet që nuk mund t'i përballojë më.
Shqiptarët kanë një shprehje të vjetër për këtë: fasulja është mishi i të varfrit. Një shprehje që dikur ishte pjesë e humorit popullor, por që sot mund të drejtojë drejt një shpjegimi ekonomik .
A po konsumojnë familjet shqiptare më shumë fasule sepse nuk e përballojnë dot më mishin? A po zëvendësojnë produktet më të shtrenjta me një grup gjithnjë e më të ngushtë ushqimesh bazë?
Të dhënat e FAOSTAT për konsumin e fasules për frymë japin një sinjal interesant: gjatë periudhës 2020–2023, konsumi vjetor për banor në Shqipëri është rritur nga 5,6 kg në 6,2 kg, rreth 9.4% .
Dyshoj, se tabela tregon jo vetëm një histori rritje çmimesh, por edhe një histori të varfërimit të strukturës së konsumit, një karakteristikë kjo e mbijetesës .
Familjet që blejnë më pak mish, më pak fruta dhe më pak produkte të ndryshme, duke u mbështetur gjithnjë e më shumë te buka, mielli, qepa dhe fasulja, nuk po zbulojnë një gastronomi të re, por po përshtatet me kufijtë e portofolit të tyre.
Ekonomia e quan këtë zëvendësim konsumi, familjet e njohin me një emër shumë më pak akademik, pamjaftueshmëri.
E pra, të dhënat na tregojnë se çmimet e importit mund të shpjegojnë një pjesë të rritjes së çmimeve në treg, por nuk mund të shërbejnë si alibi universale për çdo etiketë çmimi të rritur në supermarket.
Në një treg ku konkurrenca funksionon, ulja e kostove duhet të ndihet, të paktën pjesërisht, edhe te konsumatori. Nëse rritjet ndërkombëtare përcillen me shpejtësi tek çmimet vendase, ndërsa uljet duket se humbasin rrugës, atëherë problemi nuk është më vetëm importi. Duhet të shohim konkurrencën, marzhet tregtare dhe mënyrën se si funksionon zinxhiri i furnizimit.
Nga dogana te supermarketi, rrugëtimi i cmimeve duket misterioz. Rrugëtim që po i mëson konsumatorët të mbijetojnë me një shportë gjithnjë e më të vogël.

© SYRI.net