Qyteti i Chiari-t, në provincën e Breshias në Itali, është shndërruar në një nga qendrat më të rëndësishme të komunitetit shqiptar në këtë rajon, ku ndër vite shqiptarët kanë krijuar familje, kanë hapur biznese dhe janë integruar në jetën ekonomike e shoqërore.

Sipas një artikulli të publikuar nga gazeta italiane Corriere della Sera, në Chiari jetojnë 1.342 shtetas shqiptarë, të cilët përbëjnë 8.2 për qind të popullsisë së përgjithshme të qytetit. Shqiptarët përbëjnë komunitetin më të madh të huaj në këtë vendbanim, pas shtetasve italianë.


Një tjetër e dhënë që dëshmon për praninë e madhe të shqiptarëve është fakti se në Chiari jeton pothuajse një në dhjetë shqiptarë që banojnë në të gjithë provincën e Breshias, transmeton Telegrafi.

Sipas gazetës, emigrimi shqiptar drejt kësaj zone nisi kryesisht gjatë viteve ’90 dhe në fillim të viteve 2000.

Me kalimin e kohës, shumë prej të ardhurve kanë fituar shtetësinë italiane, kanë krijuar familje dhe kanë ndërtuar jetën e tyre në këtë qytet.

Puna ka qenë një nga faktorët kryesorë të vendosjes së komunitetit shqiptar në Chiari.

Një pjesë e madhe e tyre janë të angazhuar në sektorin e ndërtimtarisë, ndërsa shqiptarët përbëjnë edhe grupin e dytë më të madh kombëtar, pas pakistanezëve, në mesin e shtetasve të huaj që janë ortakë ose mbajnë pozita drejtuese në ndërmarrjet e provincës së Breshias.

Gazeta italiane vë në pah edhe zhvillimin e gjeneratave të reja, të cilat po ndjekin rrugë të ndryshme nga prindërit e tyre.

Shumë të rinj shqiptarë vazhdojnë studimet universitare, ndërsa të tjerë tashmë janë të angazhuar në profesione të ndryshme dhe në veprimtari ekonomike në këtë zonë.

Prania e komunitetit shqiptar është bërë ndër vite pjesë e rëndësishme e strukturës shoqërore dhe ekonomike të Chiari-t, duke u reflektuar edhe në jetën publike të qytetit./Telegrafi/