Kos: Pushteti i ri në Serbi duhet ta rikthejë besimin e BE-së

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka kërkuar nga fituesit e zgjedhjeve parlamentare në Serbi që të ndërmarrin reforma konkrete për rikthimin e besimit të Bashkimit Evropian, duke theksuar se kjo është rruga për zhbllokimin e fondeve të pezulluara dhe vazhdimin e negociatave për anëtarësim.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kos ka thënë se Serbia duhet të dëshmojë përkushtim ndaj sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit dhe mediave, si dhe luftimit të korrupsionit.
Sipas saj, përmirësimi i këtyre fushave do të krijonte kushte që shtetet anëtare të BE-së të mbështesin vazhdimin e procesit të anëtarësimit të Serbisë.
“Gjëja e parë, dhe për mua shumë e rëndësishme, është ndërtimi i besimit. E di që ky është një term psikologjik, por ka rëndësi të madhe kur flasim për mbështetjen që shtetet anëtare do t’i japin procesit të anëtarësimit dhe për shpejtësinë me të cilën mund të përparojmë”, ka deklaruar Kos.
Ajo ka theksuar se besimi duhet të rikthehet në të dyja drejtimet, ndërmjet Serbisë dhe institucioneve evropiane, por edhe ndërmjet BE-së dhe qytetarëve serbë.
“Zbatimi i reformave të nevojshme në sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe të mediave, si dhe luftën kundër korrupsionit, do të krijonte mundësi për zhbllokimin e fondeve që kemi pezulluar”, ka thënë komisionarja evropiane.
Serbia, në mesin e vendeve që kanë shënuar regres
Në raportin e fundit të zgjerimit, Komisioni Evropian e ka renditur Serbinë krahas Turqisë dhe Gjeorgjisë, si vende që kanë shënuar regres në procesin e integrimit evropian.
Për të dytin vit radhazi, Serbia ka shënuar përkeqësim në fusha kyç, përfshirë sundimin e ligjit dhe lirinë e shprehjes.
Raporti mbulon periudhën nga fundi i shtatorit 2025 deri në fund të shtatorit 2026, prandaj pasqyron kryesisht punën e pushtetit të mëparshëm të udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe (SNS), pa përfshirë zhvillimet pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit.
Në këto zgjedhje, Lista Studentore shënoi fitore ndaj SNS-së, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare të kësaj partie.
Megjithëse Serbia vazhdon të konsiderohet ndër vendet më të përgatitura kandidate për anëtarësim në BE, sa i përket progresit të shënuar gjatë vitit të fundit, ajo ka mbetur prapa Shqipërisë dhe Malit të Zi, të cilat aktualisht konsiderohen si vendet me përparimin më të madh në procesin e integrimit.
Serbia rrezikon humbjen e mbi 260 milionë eurove
Një nga pasojat konkrete të ngecjes në reforma është pezullimi i fondeve të Bashkimit Evropian për Serbinë në kuadër të Planit të Rritjes.
Nga 1.6 miliard eurot e parapara për këtë vend, deri më tani janë disbursuar vetëm rreth 168 milionë euro.
Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, Serbia ka zbatuar rreth 46 për qind të reformave të përcaktuara në agjendën e saj, ndërsa deri në fund të vitit rrezikon të humbasë përfundimisht mbi 260 milionë euro për shkak të mosrealizimit të reformave brenda afateve të caktuara.
Megjithatë, fondet që janë pezulluar për shkak të regresit demokratik mund të zhbllokohen në të ardhmen, nëse Serbia përmbush kushtet e kërkuara nga Brukseli.
Kos ka theksuar se formimi i një qeverie të re nuk është i mjaftueshëm për lirimin e këtyre mjeteve, pasi nevojitet zbatimi konkret i reformave.
Marta Kos: Zgjedhjet ishin fitore e demokracisë
Duke folur për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, komisionarja evropiane i ka cilësuar ato si fitore të demokracisë dhe të qytetarëve të Serbisë.
“Ajo që ndodhi më 25 tetor, për mua, është fitore e demokracisë. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte e lartë. Fituan qytetarët e Serbisë”, ka deklaruar ajo.
Kos ka thënë se, pas kontakteve të para me përfaqësuesit e Listës Studentore, ka krijuar përshtypjen se ata janë të përkushtuar ndaj realizimit të kërkesave të ngritura gjatë protestave, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, lirinë e mediave dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Sipas saj, këto kërkesa përputhen me kushtet që Bashkimi Evropian ia ka paraqitur Serbisë si vend kandidat për anëtarësim.
Komisionarja ka paralajmëruar se do ta vizitojë Serbinë pas formimit të Qeverisë dhe Kuvendit të ri, duke thënë se institucionet evropiane janë të gatshme të bashkëpunojnë me pushtetin e ardhshëm.
“Kur të kemi një qeveri dhe një parlament të ri, gjërat mund të ecin shumë shpejt. Ekipi im dhe unë jemi të gatshëm dhe shpresoj që së shpejti të jetë e gatshme edhe Qeveria e re serbe”, ka thënë Kos.
Ajo ka shtuar se beson që studentët dhe mbështetësit e tyre e dinë se çfarë duhet të bëjnë për ta shndërruar Serbinë në një shtet të hapur, demokratik dhe të lirë.
Sipas Kosit, nëse autoritetet e reja vazhdojnë në këtë drejtim, procesi i ndërtimit të një “Serbie të re” dhe rruga e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mund të ecin paralelisht./REL/








































