Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka pranuar se lufta në Iran ishte një nga faktorët kryesorë që çoi në humbjen e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit. Sipas tij, një pjesë e votuesve që mbështetën Donald Trumpin në vitin 2024 nuk qëndruan këtë herë në krah të republikanëve, por votuan për demokratët.
Në një reagim pas rezultatit zgjedhor, Vance theksoi se humbja nuk erdhi për shkak të pjesëmarrjes së ulët të elektoratit republikan. Përkundrazi, një numër i konsiderueshëm votuesish dolën në qendrat e votimit, por zgjodhën të mbështesnin kundërshtarët politikë.
Ai tha se analizat e brendshme të fushatës kishin evidentuar pakënaqësi mes votuesve që kishin mbështetur Trumpin në zgjedhjet e vitit 2024. Vance tregoi edhe për një bisedë me një analist të njohur të të dhënave zgjedhore, i cili e kishte paralajmëruar se republikanët mund të merrnin një rezultat më të dobët se sa pritej, pasi një pjesë e elektoratit të tyre mund të kalonte te demokratët.
Si shembull, ai përmendi Floridën, ku republikanët kishin një avantazh prej nëntë pikësh në përbërjen e elektoratit krahasuar me demokratët, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.
Katër çështjet që larguan votuesit nga republikanët
Sipas Vance, sondazhet kishin identifikuar katër shqetësime kryesore që ndikuan në ndryshimin e qëndrimit të votuesve: përfundimin e luftës, uljen e kostos së jetesës dhe përballjen me inflacionin, rikthimin te politika “Amerika e Para” dhe ndryshimin e marrëdhënieve të SHBA-ve me Izraelin.
Zëvendëspresidenti vlerësoi gjithashtu se këshillat për të ndjekur një zgjidhje diplomatike të konfliktit kishin qenë të drejta, duke nënvizuar pakënaqësinë që kishte krijuar lufta te një pjesë e elektoratit republikan.
“Arsyeja pse humbëm është lufta”
Vance paralajmëroi se në javët dhe muajt e ardhshëm do të ketë interpretime të ndryshme për shkaqet e humbjes, por këmbënguli se përgjegjësia kryesore lidhet me konfliktin në Iran.
“Arsyeja pse humbëm është lufta. Edhe vetë presidenti e tha mbrëmë”, deklaroi ai.
Sipas zëvendëspresidentit, ata që mendojnë se kostoja politike e luftës ia vlejti duhet ta thonë hapur, por çdo analizë serioze për të ardhmen e republikanëve duhet të nisë nga pakënaqësia që konflikti ka shkaktuar te votuesit.
Në fund, Vance iu drejtua edhe mbështetësve të zhgënjyer të partisë, duke pranuar se paralajmërimet e tyre kishin qenë të drejta.
“Për ata që janë të zemëruar dhe duan të thonë ‘ne jua thamë’, keni të drejtë, na e kishit thënë”, u shpreh ai, duke i ftuar që pakënaqësinë ta kthejnë në mbështetje për kandidatë republikanë që ndajnë bindjet e tyre politike.


