Komisionerja për Zgjerimin në Komisionin Europian, Marta Kos, prezantoi të mërkurën para Parlamentit Europian progres-raportin për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit, ku lufta kundër korrupsionit, ndërtimi i institucioneve të pavarura dhe funksionimi i shtetit të së drejtës konsiderohen si sfida për vendin, ndërsa vlerësohet në përgjithësi si pozitive ecuria e negociatave për anëtarësim.
Theksi i progres-raportit vihet tek dobësia e vazhdueshme në funksionimin e institucionit të Parlamentit, me mbikëqyrje të dobët të ekzekutivit, mungesë dialogu politik dhe dominim të mazhorancës në procesin legjislativ.
Votimi kundër kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për masë sigurie ndaj ish- zv.kryeministres Belinda Balluku është një nga shkaqet për këtë vlerësim, ndërsa konsiderohet shqetësues nga Brukseli.
“Pas një vonese të gjatë, Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Kjo ngre shqetësime lidhur me funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve, si dhe respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit,” thuhet në raport.
Problematikat me funksionimin e legjislativit përfshijnë gjithashtu politizimin e emërimeve në institucionet kushtetuese dhe të pavarura, moszbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe konsultimet e pamjaftueshme publike për projektligjet e miratuara. Në tërësi, raporti nënvizon mungesën e një funksionimi gjithëpërfshirës dhe efektiv të Kuvendit në ushtrimin e përgjegjësive të tij kushtetuese.
Raporti kritikon gjithashtu refuzimin sistematik të kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe miratimin e një reforme territoriale pa konsensus politik.
Ndërkohë, Komisioni rekomandon si çështje “urgjentisht të nevojshme” realizimin e një reforme gjithëpërfshirëse elektorale përpara zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm.
Për punën e ekzekutivit, Komisioni thotë se qeveria është përqendruar kryesisht te reformat që lidhen me BE-në në planifikimin e saj legjislativ dhe politik, por në disa raste ajo ka ndërmarrë nisma ligjore që nuk përputhen me acquis-in e BE-së dhe standardet europiane, përfshirë miratimin e një ndryshimi në ligjin për Portet Turistike.
Transparenca e vendimmarrjes për reformat evropiane nuk është përmirësuar dhe mbeten të pamjaftueshme burimet financiare dhe njerëzore për zbatimin e qëndrueshëm të tyre.
Raporti ngre shqetësime për sulmet verbale dhe retorikën delegjitimuese ndaj gjyqësorit dhe anëtarëve të tij, si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita kryesore, duke vënë në pikëpyetje respektimin e ndarjes së pushteteve.
Sa i përket pushtetit vendor, reforma e re territoriale e votuar nga mazhoranca konsiderohet si prirje ri-centralizuese dhe që ka krijuar pasiguri për vetëqeverisjen vendore, ndërsa bashkitë varen financiarisht nga qeveria qendrore.
Komisioni Europian i konsideron protestat e vazhdueshme në vend si “mobilizimi më i madh qytetar që nga tranzicioni demokratik i Shqipërisë”, ndërsa rekomandon që të gjitha palët të bëjnë “përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv”.
Korrupsioni mbetet sfidë, pavarësisht SPAK
Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim të mirë në luftën kundër korrupsionit dhe Prokuroria e Posaçme vlerësohet për pavarësinë e treguar dhe rezultatet pozitive në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë.
Megjithatë, raporti vëren se, korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë reale për Shqipërinë.
Në këtë drejtim, Brukseli kërkon më shumë vendime gjyqësore të formës së prerë në çështjet e korrupsionit të profilit të lartë, sekuestrim dhe konfiskim përfundimtar të pasurive që burojnë nga korrupsioni, më shumë referime proaktive nga institucionet shtetërore drejt prokurorisë dhe verifikim më efektiv të deklarimeve të pasurisë dhe konflikteve të interesit.
KE rekomandon zbatim të masave parandaluese në sektorët me rrezik të lartë korrupsioni dhe forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Liria e medias
Komisioni Evropian evidenton se liria e medias në Shqipëri vijon të përballet me presione politike, ekonomike dhe ligjore, ndërsa mekanizmat institucionalë për mbrojtjen e gazetarëve mbeten të dobët dhe të pamjaftueshëm për të parandaluar intimidimin dhe garantuar ndëshkimin e autorëve.
Gjatë vitit 2025, organizatat e lirisë së medias raportuan 42 raste shkeljesh të sigurisë së gazetarëve, përfshirë kërcënime, fushata denigruese, sulme fizike e verbale dhe padi SLAPP. Gazetarët investigativë dhe gratë gazetare u vunë në shënjestër në mënyrë disproporcionale, ndërsa pandëshkueshmëria mbetet e përhapur për shkak të mungesës së hetimeve dhe ndjekjeve gjyqësore efektive.
Raporti kritikon gjithashtu përqendrimin e pronësisë së medias, mungesën e transparencës në financimin publik dhe lidhjet e grupeve të biznesit me politikën, të cilat dëmtojnë pavarësinë dhe pluralizmin mediatik.
“Vetëcensura mbetet e përhapur, e nxitur nga presioni politik, kërcënimet ligjore dhe varësia ekonomike,” evidenton Komisioni.
Po ashtu, ka shqetësim për pavarësinë e institucioneve si Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe RadioTelevizioni Shqiptar dhe kufizim të aksesit të gazetarëve në informacionin publik.
Kërcënimet digjitale, keqpërdorimi i të dhënave personale, presionet nga pronarët dhe aktorët politikë, vetëcensura dhe kushtet e pasigurta të punës mbeten problematika të rëndësishme, ndërsa raporti rekomandon që Shqipëria të dekriminalizojë plotësisht shpifjen dhe të përafrojë legjislacionin me kuadrin anti-SLAPP të BE-së.
Drejtësia përballet me presionin politik
Në kapitullin e sundimit të ligjit, Komisioni Evropian vlerëson se pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit janë përgjithësisht të kënaqshme në gjykatat e niveleve të larta dhe ato të shkallës së parë, por ngre shqetësime për ndërhyrjet e papërshtatshme të zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë nivelet më të larta të qeverisjes.
“Përpjekjet e zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë në nivelet më të larta, për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi institucionet e drejtësisë, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve në të gjitha nivelet, vijuan gjatë gjithë periudhës së raportimit,” thekson Komisioni Evropian.
Raporti i referohet në mënyrë të veçantë reagimeve negative të ekzekutivit dhe legjislativit pas pezullimit nga detyra me vendim gjykate të ish zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Një tjetër përplasje institucionale e evidentuar nga KE lidhet me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve. Konflikti mes qeverisë dhe organeve të qeverisjes së gjyqësorit çoi në bllokimin e buxheteve të drejtësisë dhe mosdhënien e pagave të gjyqtarëve për muajin gusht.
“Kjo çoi në një situatë të paprecedentë, e cila ndikoi seriozisht në funksionimin e gjyqësorit dhe ngriti shqetësime për pavarësinë e tij,” thuhet në progres-raport.
KE kërkon që reforma e pagave të respektojë standardet e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë, parimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese dhe të përfshijë konsultime domethënëse me sistemin gjyqësor.
Ndërkohë, procesi i vetingut konsiderohet i përfunduar me sukses, por nënvizohet se parandalimi i korrupsionit pas vetingut duhet të forcohet në të gjithë sistemin gjyqësor.
Raporti u jep hapësirë dhe problematikave të funksionimit të sistemit të drejtësisë me mungesën e burimeve njerëzore dhe vonesat në dhënien e vendimeve në gjykata.
“Eficienca e sistemit të drejtësisë mbetet e kufizuar,” thekson raporti./ BIRN.
© SYRI.net
Malltezi: Të shpëtojmë parkun Rinia, të vendosin qytetarët, jo Edi Rama, ta ndalim të çmendurin pa flamuj partish
VIDEO/ Policia gjobit studentët protestues para Kryeministrisë, efektivi përplaset me gazetaren e SYRI, Fjona Çela
Raporti i KE/ Kedhi: Rrëzon propagandën e qeverisë, konfirmon akuzat e opozitës