Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës pasi akuzohen për shitje të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis sativa. Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit të koduar ‘Variety’, të finalizuar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme ‘Shigjeta’. Në pranga kanë përfunduar dy shtetas, 36 dhe 50 vjeç, të dy banues në Tiranë. Gjatë kontrolleve fizike, në banesa dhe në automjetet e tyre, policia ka gjetur sasi dhe doza të dyshuara narkotike, të cilat dyshohet se ishin përgatitur për shitje. Gjatë kontrollit të automjetit që drejtohej nga 36-vjeçari u zbulua gjithashtu një armë imituese e tipit pistoletë, e pajisur me zara metalikë. Ndërsa në makinën e 50-vjeçarit, në bulevardin ‘Zogu i Parë’, u gjet kokainë e ndarë në doza.