Qytetarët kanë vijuar edhe sot protestën në Prishtinë për vrasjen e Arlinda Zekajt, duke kërkuar drejtësi për të dhe përgjegjësi nga institucionet që kishin për detyrë ta mbronin. Me thirrje të forta kundër neglizhencës institucionale, protestuesit kërkojnë që rasti të mos mbetet vetëm në nivelin e reagimeve publike, por të pasohet me hetime dhe masa konkrete.
“Arlinda nuk u mbrojt nga shteti”, “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë” dhe “Ata njerëz kanë me u përgjigj” ishin disa nga sloganet që u dëgjuan gjatë protestës.
Revolta e qytetarëve lidhet me faktin se Arlinda Zekaj kishte denoncuar më herët dhunën në familje në polici, por më pas u vra. Protestuesit kërkojnë të zbardhen plotësisht rrethanat e trajtimit të denoncimit të saj dhe të hetohet nëse zyrtarët përgjegjës kanë neglizhuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.
Pjesëmarrësit këmbëngulin se përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te autori i vrasjes, por duhet të shtrihet edhe te çdo zyrtar që mund të ketë dështuar në përmbushjen e detyrës për mbrojtjen e saj.
Protesta përcjell kërkesën për drejtësi për Arlindën dhe llogaridhënie institucionale, duke rikthyer në vëmendje pasojat fatale që mund të sjellë mosreagimi në kohë ndaj rasteve të dhunës në familje.




