Shqiptarët ndër komunitetet më të mëdha të huaja në Lucern të Zvicrës, mbi 8% e të huajve janë nga Kosova

Komuniteti nga Kosova renditet ndër grupet më të mëdha të huaja në kantonin e Lucernit të Zvicrës, ku përbën 8.3% të popullsisë së huaj me qëndrim të përhershëm.
Këto të dhëna janë publikuar nga portali zviceran Swissinfo, bazuar në statistikat e Zyrës së Statistikave të Lucernit (LUSTAT).
Sipas të dhënave për fundin e vitit 2025, në kantonin e Lucernit jetonin 96.796 shtetas të huaj me qëndrim të përhershëm, ndërsa 25.3% e gjithë popullsisë së kantonit kishte lindur jashtë Zvicrës.
Gjermanët përbëjnë komunitetin më të madh të huaj, me 17.1%, të ndjekur nga italianët me 10.2%.
Në vendin e tretë renditen shtetasit e Kosovës dhe ata të Portugalisë, me nga 8.3& secili.
Një tjetër e dhënë që dëshmon praninë e komunitetit nga Kosova është numri i personave që kanë marrë shtetësinë zvicerane gjatë vitit 2025.
Sipas statistikave, 145 shtetas të Kosovës janë natyralizuar, duke u renditur të dytët pas gjermanëve, për të cilët janë regjistruar 436 natyralizime.
Në të njëjtin vit, në kantonin e Lucernit kanë emigruar 6.273 persona nga jashtë vendit, ndërsa 5.126 banorë janë larguar drejt shteteve të tjera.
Statistikat tregojnë gjithashtu se 57.6% e popullsisë së huaj në këtë kanton kanë pasaporta të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, gjatë vitit 2025, numri i banorëve të huaj në Lucern ka vazhduar të rritet, duke arritur në 21.9 për qind të popullsisë së përgjithshme, një përqindje më e ulët se mesatarja zvicerane prej 27.7%./Telegrafi/










































