Tragjedia në Elbasan, kati i katërt i pallatit u shemb mbi të tretin
Një i moshuar ende i zhdukur
Një shpërthim i fuqishëm në një pallat pesëkatësh në Elbasan ka shkaktuar pasoja tragjike, duke lënë pas një viktimë, disa persona të plagosur dhe dëme të rënda në strukturën e ndërtesës. Ndërkohë, shqetësimi mbetet i madh për fatin e një të moshuari, i cili rezulton ende i zhdukur dhe dyshohet se mund të ketë mbetur nën rrënoja.
Bilanci paraprak flet për një person që ka humbur jetën dhe tetë të tjerë që janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Mes të plagosurve raportohet se ka edhe fëmijë. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që numri i viktimave të ndryshojë, ndërsa operacioni në vendngjarje vijon.
Përmasat e dëmeve janë bërë edhe më të qarta pas ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës. Drejtori i Policisë së Elbasanit, Kastriot Skënderaj, ka konfirmuar se shpërthimi ka prekur rëndë qëndrueshmërinë e pallatit, ku një pjesë e konstruksionit është shembur.
Sipas të dhënave nga vendngjarja, kati i katërt ka rënë mbi katin e tretë, ndërsa zjarri, i cili fillimisht përfshiu këtë të fundit, është përhapur më pas edhe në pjesë të tjera të ndërtesës.
Zjarrfikësit dhe forcat e policisë janë angazhuar në evakuimin e banorëve, neutralizimin e flakëve dhe kontrollin e zonave të dëmtuara. Paralelisht, ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet për të moshuarin që ende nuk është lokalizuar.
Sipas informacionit të dhënë nga shërbimet zjarrfikëse, trupi i viktimës është gjetur në katin e pestë të pallatit. Ndërsa për personin e moshuar nuk ka ende një konfirmim mbi fatin e tij.
“Kemi të bëjmë me një pallat pesëkatësh, ku janë konstatuar dëmtime të konsiderueshme në strukturë. Kati i katërt është shembur mbi të tretin. Fillimisht zjarri përfshiu katin e tretë, por më pas u përhap edhe në katet e tjera. U ndërmorën masa për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e flakëve. Viktima u gjet në katin e pestë, ndërsa një i moshuar vijon të jetë i pagjetur”, bëjnë me dije shërbimet zjarrfikëse.
Ndërsa autoritetet vijojnë ndërhyrjen, ende nuk ka një bilanc përfundimtar të pasojave të shpërthimit. Prioritet mbetet gjetja e personit të zhdukur dhe vlerësimi i plotë i dëmeve në ndërtesë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



