Përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit kanë tensionuar mbrëmjen e kësaj të mërkure situatën përpara Kryeministrisë, ku prej disa orësh po zhvillohet protesta e studentëve dhe qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Momenti i tensionit është regjistruar kur disa qytetarë kanë dalë përpara një furgoni të policisë, duke bllokuar lëvizjen e tij. Efektivët kanë ndërhyrë për t’i larguar, duke i shtyrë protestuesit dhe duke përdorur spraj me piper.
Gjatë përplasjes janë dëgjuar thirrjet “Mos i prek gocat!”, ndërsa qytetarët kanë kundërshtuar ndërhyrjen e forcave të rendit. Situata ka shkaktuar momente kaotike në zonën përpara godinës së qeverisë.
Tensionet janë regjistruar pas shoqërimit nga policia të Edison Likës dhe Dritan Goxhajt. Sipas informacioneve paraprake, ata kishin refuzuar të merrnin fletët e gjobave të vendosura ndaj tyre.
Protesta vijon përpara Kryeministrisë, ndërsa përplasjet e mbrëmjes kanë shtuar tensionin mes qytetarëve dhe efektivëve të policisë.
