Vendosni fjalën kyçe....

Ina Zhupa: Të miturit u dhunuan dhe u kërcënuan në komisariate për të mos marrë pjesë në protesta


Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka akuzuar Policinë e Shtetit për ushtrim dhune ndaj protestuesve dhe të miturve të shoqëruar në komisariate pas protestave.

Duke komentuar progres-raportin e Komisionit Europian, ajo tha se dokumenti evidenton një sërë problematikash të ngritura më herët nga opozita shqiptare.

Sipas Zhupës, raporti i KE-së konfirmon shqetësimet dhe kauzat e opozitës, ndaj protestat duhet të vijojnë. Ajo kritikoi mënyrën se si është sjellë Policia e Shtetit me protestuesit, duke e akuzuar se ka përdorur dhunë në vend që të përmbushë detyrën e saj për mbrojtjen e qytetarëve.

“Në raportin e KE-së do të gjeni të gjitha çështjet që ka ngritur opozita shqiptare dhe kërkesat e drejta të protestës. Edhe protesta ka të njëjtat kauza që ka ngritur edhe Partia Demokratike. Policia e Shtetit nuk ka dalë si e shtetit, por ka dalë si polici e dhunës, duke lënë shakull në tokë protestuesit”, deklaroi Zhupa.

Deputetja pretendoi gjithashtu se të miturit e shoqëruar në komisariate janë dhunuar dhe kërcënuar, me qëllim që të mos merrnin më pjesë në protesta.

Ajo bëri të ditur se ka depozituar në Kuvend një kërkesë për mbrojtjen e të miturve, duke e cilësuar trajtimin e tyre si një çështje që kërkon vëmendje dhe reagim institucional.

“Policia ka dhunuar të miturit dhe kam depozituar në Kuvend një kërkesë për mbrojtjen e të miturve. Të miturit janë dhunuar dhe janë kërcënuar në komisariate, duke iu bërë presion të madh që të mos merrnin pjesë në protesta”, u shpreh ajo.

Zhupa iu referua edhe shifrës prej 1046 personash të shoqëruar pas protestave, duke e cilësuar atë si tregues të pakënaqësisë popullore. Sipas saj, presionet politike nuk do të arrijnë të ndalin protestat, të cilat, siç paralajmëroi, do të vazhdojnë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Nuk do të funksionojnë presionet e Ramës dhe protestat do të jenë të vazhdueshme, deri në largimin e kryeministrit”, deklaroi deputetja e PD-së.