Vendosni fjalën kyçe....

Tentuan të ndalonin shoqërimin e Goxhajt, vajzat bëhen “gardh” rreth furgonit të policisë


Momente kaotike dhe përplasje fizike janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të mërkure përpara Kryeministrisë, ku protestuesit janë përballur me ndërhyrjen e forcave të policisë gjatë shoqërimit të Dritan Goxhajt dhe Edison Likës. Disa vajza kanë përfunduar në ambulancë pas përdorimit të sprajit me piper.

Tensionet janë përshkallëzuar kur një grup vajzash, të ndihmuara edhe nga djemtë, kanë krijuar një “gardh” njerëzor përpara furgonit të policisë, duke tentuar të pengojnë largimin e automjetit dhe shoqërimin e Goxhajt dhe Likës.

Pavarësisht pranisë së qytetarëve përpara furgonit, automjeti ka vijuar lëvizjen, duke shtyrë protestuesit që ndodheshin në rrugën e tij. Gjatë incidentit, qytetarët kanë reaguar me thirrjet “Kriminelë!”, duke kundërshtuar veprimet e efektivëve.

Situata është tensionuar më tej, duke sjellë përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të rendit. Gjatë ndërhyrjes, efektivët kanë përdorur edhe spraj me piper, i cili ka shkaktuar shqetësime te disa prej pjesëmarrësve në tubim.

Disa vajza janë ndier keq si pasojë e ekspozimit ndaj sprajit dhe janë marrë nga shërbimi i ambulancës për të marrë ndihmë mjekësore.

Në zonën përpara Kryeministrisë kanë mbërritur edhe forcat “Shqiponja”, ndërsa ndërhyrja e policisë ka shkaktuar tensione të vazhdueshme gjatë protestës.

Shoqërimi i Dritan Goxhajt dhe Edison Likës erdhi pasi, sipas informacioneve paraprake, ata kishin refuzuar të merrnin fletët e gjobave të vendosura nga policia.

Studentët dhe qytetarët ndodhen prej disa orësh përpara godinës së qeverisë, ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.