“Djali i vogël më thërriste: ‘O babi!’, por unë nuk e ndihmoja dot”. Kështu e përshkruan Artur Sanço momentin e tmerrit që përjetoi gjatë shpërthimit të fuqishëm në pallatin pesëkatësh në lagjen “Beqir Dardha” të Elbasanit. Banori i katit të dytë tregon se u detyrua të hidhej nga ballkoni për të shpëtuar, ndërsa dera i ra në kokë dhe rrënojat bllokuan daljen nga apartamenti.
“Si t’ia bëj tani, ku të rri? Unë isha në katin e dytë, më ra dera e ballkonit në kokë. Djali i vogël më thërriste: ‘O babi!’ Më thërriste djali dhe unë nuk e ndihmoja dot. U hodha nga kati i dytë. Nuk e di si ka ndodhur. Në atë moment kam dalë në ballkon, kam bërtitur. Tani isha në spital për mjekim. Kujt t’i bie në qafë sot? Nuk e di si ka ndodhur, shpërthimi ka qenë shumë i fortë”, rrëfen ai.
Sanço shpjegon se soleta e katit të tretë ra mbi dhomën e gjumit të banesës së tij, duke bllokuar derën dhe duke e bërë të pamundur daljen për të nxjerrë të birin. Sipas tij, fëmija arriti të shpëtonte pasi mbërriti nëna e tij dhe hapi derën.
“Soleta e katit të tretë ka rënë dhe e ka zënë dhomën e gjumit, derën. Nuk dilja dot të nxirrja çunin. Fatmirësisht, erdhi gruaja, hapi derën dhe e nxori. Nuk di çfarë të them”, tregon banori.
Ai ngre gjithashtu shqetësimin për hapësirat e zëna nga ndërtimet shtesë pranë pallatit, të cilat, sipas tij, pengojnë ndërhyrjen e mjeteve të emergjencës. Sanço thotë se banorët kanë kërkuar prej vitesh prishjen e një shtese dhe pretendon se mungesa e hapësirës mund të vështirësojë hyrjen e zjarrfikësve dhe ambulancave.
“Çfarë kërkoj unë nga shteti? Po të mos ishte ajo shtesa aty, do të hynte zjarrfikësja. Kemi 30 vjet këtu, u kemi thënë ta prishin. Unë punoj në ndërtim dhe e di shumë mirë që është edhe me ligj që jashtë fasadës duhet të jetë 7 metra minimumi bosh, hapësirë publike, që të hyjnë ambulanca, zjarrfikësja. Shiheni! Jo vetëm këtu, por në të gjithë Elbasanin dhe në të gjithë Shqipërinë”, shprehet ai.
Banori tregon se personi që rezulton i zhdukur është fqinji i tij, i cili jetonte në katin e tretë. Ai nuk përjashton mundësinë që fqinji të ketë mbetur nën rrënojat që ranë mbi apartamentin e tij.
“Personi i zhdukur është ai komshiu në katin e tretë. Nuk e di, ndoshta ka rënë edhe te unë ai, sepse soleta e katit të tretë ka rënë poshtë, te unë, në katin e dytë. Mos të them edhe kati i katërt, se është beton. Nuk e di çfarë ka ndodhur, çfarë ka shpërthyer. Nuk e kisha dëgjuar dhe përjetuar ndonjëherë”, rrëfen Sanço.
Shpërthimi dhe zjarri në pallatin pesëkatësh në lagjen “Beqir Dardha” shkaktuan një viktimë, ndërsa një person tjetër rezulton i zhdukur. Ngjarja ndodhi në apartamentin e katit të tretë, në pronësi të Hamit Ibros, i cili ende nuk është gjetur.
Viktima është 82-vjeçarja Hatixhe Berisha, e cila nuk jetonte në apartamentin ku shpërtheu zjarri, por një kat më lart. Ajo u nxor e pajetë nga ndërtesa nga forcat zjarrfikëse, përmes shkallëve të jashtme. Dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e dëmtimeve fizike ose asfiksisë nga tymi.
Dhjetë persona të tjerë, mes tyre edhe një fëmijë, kanë mbetur të lënduar dhe po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Elbasanit, pasi shfaqën probleme shëndetësore nga tymi. Banorët e pallatit u evakuuan me ndihmën e zjarrfikësve, ndërsa në vendngjarje mbërritën edhe forcat antieksploziv të Policisë së Shtetit.
Struktura e pallatit është dëmtuar rëndë, ndërsa shkaqet e shpërthimit dhe zjarrit ende nuk janë përcaktuar nga policia. Një nga pistat që po shqyrtohet është mundësia që zjarri të ketë nisur pas shpërthimit të një bombole gazi.



