Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas shoqërimit të dy aktivistëve, Edison Lika dhe Dritan Goxhaj, gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë.
Bardhi e cilësoi ndërhyrjen e Policisë si pengim të së drejtës për tubim, ndërsa kundërshtoi vendosjen e gjobave ndaj protestuesve.
Sipas tij, ushtrimi paqësor i kësaj të drejte mbrohet nga Kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare dhe nuk mund të kufizohet përmes shoqërimeve apo ndëshkimeve administrative.
Përmes një reagimi publik, ai i kërkoi Policisë së Shtetit të ndalë praktikat që, sipas tij, intimidojnë qytetarët dhe të hetojë çdo rast të pretenduar të dhunës apo shkeljes së ligjit ndaj protestuesve.
Kreu i grupit të PD-së iu drejtua edhe komunitetit ndërkombëtar dhe partnerëve të Shqipërisë, duke kërkuar një reagim publik për atë që e konsideron cenim të lirive themelore.
“E drejta për të protestuar duhet të garantohet, jo të ndëshkohet”, përfundon Bardhi në reagimin e tij.













