Shanset që 69-vjeçari Hamit Ibro të gjendet i gjallë nën rrënojat e pallatit të shkatërruar nga shpërthimi në Elbasan janë shumë të pakta. Këtë e bëri të ditur Komandanti i Bazës së Mbështetjes dhe Emergjencave Civile, kolonel Hajdar Gurra, i cili ndodhet në terren për të ndjekur operacionin e kërkim-shpëtimit.
Në një prononcim për Top Channel, Gurra tha se kamerat termike të përdorura gjatë kërkimeve nuk kanë dhënë sinjale që të lënë shpresë për gjetjen e 69-vjeçarit në jetë. Megjithatë, ekipet do të vijojnë operacionin deri në përfundim, pavarësisht vështirësive dhe rrezikut të lartë që paraqet ndërtesa e shembur.
“ Në terren janë dy ekipe kërkim-shpëtimi, 16 persona me të gjitha mjetet e nevojshme.
Operacioni paraqet rrezikshmëri shumë të lartë, pasi godina është tërësisht e shkatërruar.
Do të vijojmë kërkimet deri në fund, duke ruajtur të gjithë parametrat e sigurisë për punonjësit tanë.
Nga kamerat termike që kemi përdorur, ka shumë pak gjasa që 69-vjeçari Hamit Ibro të gjendet i gjallë.
Jemi duke kërkuar në pjesën e godinës ku, sipas informacioneve të familjarëve dhe strukturave vendore, mendohet të ketë qenë personi”, u shpreh Gurra.
Në operacion janë angazhuar 16 efektivë, të ndarë në dy ekipe kërkim-shpëtimi, ndërsa puna vijon në zonën ku dyshohet se ndodhej 69-vjeçari në momentin e shpërthimit.
#Elbasan #HamitIbro #Shpërthimi #EmergjencatCivile #KërkimShpëtim


