“Pagova 250 mijë lekë për internet dhe tv për një vit, Tele.co më hoqi kanalet sportive dhe s’më jep kontratën”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.11.2026, 00:35

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një problem me kompaninë Tele.co, pasi pretendon se ka paguar për një abonim njëvjeçar interneti dhe televizioni, por nuk po merr shërbimin për të cilin ka kryer pagesën.

Sipas qytetarit, kontrata e tij e mëparshme, e vlefshme nga shtatori 2025 deri në shtator 2026, përfshinte internetin, televizionin dhe paketën sportive Tring Sport. Pas përfundimit të saj, më 2 tetor 2026, ai thotë se ka kërkuar rinovimin e së njëjtës paketë për një vit tjetër, kundrejt pagesës prej 250 mijë lekësh.

Por, sipas tij, problemet nisën menjëherë pas rinovimit. Fillimisht, kanalet sportive iu aktivizuan për rreth një muaj, ndërsa më pas u hoqën nga platforma. Pas kontaktimit me kompaninë, qytetari thotë se iu komunikua se nuk i përfitonte më këto kanale, pa iu dhënë një shpjegim bindës për ndryshimin e shërbimit.

Ajo që e shqetëson edhe më shumë është fakti se, pavarësisht kërkesave të përsëritura, pretendon se nuk i është vënë në dispozicion as kopja e kontratës së re dhe as dokumentacioni i pagesës.

Në videon e mbërritur në redaksi, qytetari shihet në një prej pikave të kompanisë, ku i kërkon punonjëses t'i japë një kopje të kontratës për të cilën ka paguar. Megjithatë, gjatë gjithë përballjes, punonjësja nuk i jep asnjë përgjigje dhe nuk reagon ndaj kërkesave të tij.

Qytetari thotë gjithashtu se ka tentuar të kontaktojë shërbimin e klientit, por nuk ka marrë zgjidhje, ndërsa pretendon se ka pritur edhe policinë për rreth një orë, pa mbërritur asnjë patrullë.

Denoncuesi kërkon që Tele.co t'i vërë në dispozicion kontratën e nënshkruar, të sqarojë përse janë hequr kanalet sportive për të cilat pretendon se ka paguar dhe të japë një përgjigje për shërbimin që po merr.

Pika e kompanisë ku është zhvilluar përballja ndodhet pranë rrethrrotullimit të Yzberishtit.

Nga ana tjetër, JOQ Albania është e hapur për të publikuar edhe një reagim të kompanisë Tele.co lidhur me këtë denoncim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit