Pesë persona, pjesë e një grupi kriminal, janë arrestuar në një aksion të Policisë, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Sipas njoftimit nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një status në Facebook ka shkruar se në këtë operacion janë sekuestruar 37 kilogramë heroinë të ndara në 62 paketime me vlerë tregu mbi gjysmë milion euro.
“Edhe një grup kriminal ndërkombëtar është goditur falë punës profesionale dhe angazhimit të përbashkët të Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Në këtë operacion të suksesshëm janë sekuestruar 37 kilogramë heroinë, të ndarë në 62 paketime, me vlerë tregu mbi gjysmë milioni euro. Po ashtu, janë arrestuar pesë të dyshuar për veprat penale të pjesëmarrjes në grup kriminal të organizuar dhe të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve”, thuhet në njoftimin e Sveçles.
Tutje ka shkruar se Republika e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë zonë e sigurt për kriminelët, e as për aktivitetet që cenojnë sigurinë e vendit, shëndetin dhe mirëqenien e rinisë dhe të gjithë qytetarëve.
Dyshohet se heroina në vlerë gjysmë milionë euro erdhi nga Irani
Në një konferencë të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës janë dhënë më shumë detaje rreth aksionit të këtyre institucioneve dhe Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, që si rezultat solli konfiskimin dhe sektuestrimin e 37 kilogramëve drogë të llojit heroinë, në vlerë prej 550 mijë euro.
Drejtori i Departamentit për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Kosovës, Reshat Murseli ka thënë se pesë të arrestuarit për këtë rast dyshohet se heroinën e transportonin të kamufluar me mallra komerciale nga Irani për në Kosovë. Sipas hetimeve preliminare, destinacioni i drogës ka qenë për tregun jashtë Kosovës.
“Në total gjatë këtij operacioni policor janë bastisur pesë lokacione dhe objekte përcjellëse. Janë arrestuar pesë të dyshuar, dy nga ta shtetas turq, një shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe dy shtetas kosovarë. Dyshohet se grupi kriminal sasinë e narkotikut e ka transportuar të kamufluar në mallra komerciale nga vendet aziatike të Lindjes së Mesme gjegjësisht Iranit për në Republikën e Kosovës. Në bazë të hetimit të deritanishëm dyshohet se e ka pasur për qëllim tregun jashtë vendit. Vlera e shitjes jashtë Kosovës do ta kalonte shifrën prej 550 mijë eurosh”, ka deklaruar Murseli.
Tutje ai ka thënë se ky plan i koduar me emrin “Rikthimi” është realizuar në kohë rekord. Gjithashtu Murseli ka treguar se bastisje janë realizua në Ferizaj e Prishtinë, ku në banesën e njërit nga të dyshuarit, shtetas turk, është gjetur një sasi prej 1kg e dyshuar heroinë e ndarë në dhjetëra paketime.
“Me datën 3 kemi organizuar planin taktik i koduar ‘Rikthimi’. Rreth orës 21:45 në mbështetje operacionale të njësive përkatëse në rajonin e drejtorisë rajonale të Ferizajt, me urdhrin e prokurorit Demi e kemi nisur operacionin policor duke filluar me një bastisje në një depo në një fabrikë në regjionin e Ferizajt, ku atje dyshohet se mund të jetë në ruajtje një sasi e narkotikut në pronë të dyshuarit F.S shtetas kosovar. Më pas janë bastisur edhe katër lokacione të tjera të përfshira dhe dy në rajonin e Prishtinës. Gjatë bastisjes në depo, fillimisht policia e ka gjetur një sasi të drogës e dyshuar si heroinë, e cila ishte e vendosur në qese najloni dhe më pas është gjetur edhe një sasi e drogës e ndarë në 61 paketime e cila ishte e kamufluar në një pako letre. Po ashtu në njërën nga banesat e bastisura te i dyshuari I.S shtetas turk është gjetur dhe konfiskuar edhe një sasi 1kg e dyshuar heroinë. Pra në total është gjetur 62 paketime në peshë totale 37 kilogramë”, ka deklaruar Murseli në konferencën për media.
Prokurori i rastit, Atdhe Dema ka deklaruar se ndaj pesë të dyshuarve për këtë rast është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe se janë në fazën e përgatitjes së dokumentacionit për të vazhduar tutje.
“Si rezultat i veprimeve të ndërmarra është sekuestruar e konfiskuar sasi e narkotikut në vlerë prej 550 mijë euro, sasi prej 37 kilogramë. Sasia e saktë do të konfirmohet pas analizave të duhura, megjithatë dyshimi i parë është se bëhet fjalë për substanca narkotike dhe atë të llojit heroinë. Bëhet fjalë për grup të mirëorganizuar si strukturë kriminale dhe lidhet me veprën penale të ‘Blerjes e shpërndarje së narkotikëve’. Ndaj të dyshuarve veçse është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe tani që po flas me ju jemi në fazën e përgatitjes së të gjithë dokumentacionit të cilin e kërkon procedura penale për të vazhduar tutje”, ka deklaruar mes tjerash Dema.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca ka deklaruar se hetimi për këtë rast është konkretizuar në afat rekord me këtë rezultat.
Paca ka thënë se hetimi filloi pas informacioneve të siguruara nga AKI-ja.
“Gjatë aksionit mbrëmë janë arrestuar pesë persona, prej të cilëve dy shtetas të huaj. Njëkohësisht janë sekuestruar mbi 37 kilogramë substancë e dyshuar e llojit heroinë. Ky aksion është rezultat i një hetimi të filluar së fundmi mbi bazën e informacioneve të siguruara nga AKI-ja. Hetimi është konkretizuar me këtë rezultat brenda një afati rekord”, ka deklaruar Paca.
Siç u deklarua në këtë konferencë për media hetimet për këtë rast po vazhdojnë
Pesë të arrestuarit si të dyshuar janë dy shtetas turq, një i Maqedonisë së Veriut dhe dy shtetas të Kosovës.





