Fitorja e Abdul El-Sayed në garën për Senatin amerikan në Michigan është një ngjarje që shkon përtej rezultatit të një palë zgjedhjeve. Për ne shqiptaro-amerikanët, ajo ka një kuptim të veçantë. Na kujton një nga arsyet kryesore përse kemi ardhur në këtë vend dhe përse shumë prej nesh kanë vendosur të ndërtojnë këtu jetën e tyre dhe të fëmijëve.

Abdul El-Sayed është djali i emigrantëve myslimanë nga Egjipti. Është rritur në Amerikë, është shkolluar në universitetet më të mira të saj, është bërë mjek dhe ka punuar në shërbimin publik.Kjo është historia amerikane që njohim ne emigrantët. Historia e një vendi ku prejardhja e prindërve, mbiemri apo besimi fetar nuk duhet të përcaktojnë deri ku mund të arrish.

Por fitorja e El-Sayed ka rëndësi edhe për një arsye tjetër. Ai fitoi në një kohë kur përkatësia fetare dhe origjina e tij u përdorën hapur si argumente kundër kandidaturës së tij. Presidenti Trump e quajti terrorist dhe e lidhi me organizata ekstremiste, pa paraqitur prova që mbështesnin akuza të tilla. Këto sulme synonin ta paraqisnin si një njeri që, për shkak të fesë, nuk mund t'i besohej përfaqësimi i amerikanëve. 

Edhe brenda Partisë Demokratike pati rezerva dhe kundërshtime. Haley Stevens, të cilën El-Sayed e mundi në zgjedhjet paraprake, arriti deri aty sa të mbështeste kandidatin republikan Mike Rogers. Ishte një veprim i pazakontë që tregoi sa të thella ishin përçarjet brenda partisë. 
Megjithatë, votuesit e Michiganit vendosën ndryshe.

Këtu qëndron një nga mësimet më të rëndësishme të këtyre zgjedhjeve. Amerika ka probleme serioze me paragjykimet racore dhe fetare. Këto probleme nuk duhen mohuar. Por Amerika ka edhe aftësinë për t'i kundërshtuar ato përmes votës dhe institucioneve demokratike.
Për ne shqiptarët që jetojmë në Michigan, ky është një realitet që duhet të na bëjë të mendojmë. Shumë prej nesh kemi emra që tingëllojnë të huaj për amerikanët. Flasim shqip në familje, ruajmë traditat tona dhe kemi besime të ndryshme fetare. Kërkojmë që të na vlerësojnë për punën, ndershmërinë dhe aftësitë tona, jo për vendin nga kemi ardhur apo fenë që praktikojmë.

Është e drejtë të kërkojmë një trajtim të tillë. Por atëherë duhet ta pranojmë këtë të drejtë edhe për të tjerët.
Gjatë fushatës kam vënë re se edhe ndër shqiptarët e Michiganit kishte njerëz që e kundërshtonin El-Sayed jo për programin e tij politik, por për përkatësinë fetare. Madje edhe shqiptarë që vetë i përkasin besimit mysliman.

Kundërshtimi politik është krejtësisht legjitim. Një shqiptaro-amerikan mund të jetë republikan, mund të mos pajtohet me politikat ekonomike të El-Sayed apo me qëndrimet e tij ndaj Izraelit. Mund të besojë se Mike Rogers do ta përfaqësonte më mirë. Por kur arsyeja e kundërshtimit bëhet vetëm feja e kandidatit, atëherë kemi të bëjmë me diçka tjetër. Dhe kjo nuk përputhet me vlerat që presim të respektohen ndaj nesh në Amerikë.

Megjithatë, do të ishte gabim ta shpjegonim fitoren e El-Sayed vetëm me përballjen e tij me paragjykimet fetare. Ai nuk fitoi thjesht sepse ishte mysliman dhe as sepse ishte viktimë e sulmeve politike. Fitoi sepse arriti të bindte një pjesë të madhe të votuesve se kishte një program që u përgjigjej problemeve të tyre.
Në qendër të fushatës së tij ishte kujdesi shëndetësor. Propozimi Medicare for All synon të sigurojë mbulim shëndetësor për të gjithë amerikanët. Ai kërkoi gjithashtu uljen e kostos së jetesës dhe kufizimin e ndikimit të parave të korporatave në politikë.

Këto janë çështje që prekin drejtpërdrejt familjet amerikane. Një faturë spitali krijon vështirësi të mëdha edhe për një familje me të ardhura të mira. Kostoja e sigurimit shëndetësor, barnave dhe shërbimeve mjekësore është shqetësim për republikanët dhe demokratët, për të lindurit këtu dhe për emigrantët.
El-Sayed e kuptoi se njerëzit kërkojnë përgjigje për këto probleme. Ai foli për to me një gjuhë të kuptueshme dhe nuk u përpoq t'i fshihte bindjet e tij progresiste për të kënaqur drejtuesit më konservatorë të partisë.

Fitorja e tij është një mësim edhe për demokratët. Prej vitesh, brenda kësaj partie zhvillohet një debat mbi nevojën për kandidatë të moderuar, sidomos në shtete si Michigani, ku zgjedhjet vendosen shpesh nga një numër relativisht i vogël votuesish të pavendosur. El-Sayed tregoi se edhe një kandidat me qëndrime të qarta të majta mund të fitojë, nëse arrin të krijojë besim dhe të flasë për problemet që shqetësojnë qytetarët.

Kjo nuk do të thotë se çdo kandidat progresist do të fitojë apo se çdo propozim i El-Sayed është i realizueshëm. Premtimi për sigurimin shëndetësor universal, për shembull, do të përballet me pengesa të mëdha politike dhe financiare. Fitorja në zgjedhje është vetëm fillimi. Tani ai duhet të tregojë se mund t'i kthejë premtimet në rezultate.
Por një gjë tashmë është e qartë. Votuesit e Michiganit nuk e pranuan idenë se një amerikan duhet të konsiderohet më pak i denjë për të shërbyer në Senat për shkak të fesë apo origjinës së familjes së tij.

Për mua, si shqiptaro-amerikan, kjo është pjesa më e rëndësishme e rezultatit.
Ne kemi ardhur në një vend ku askush nuk na ka premtuar suksesin, por ku të gjithë duhet të kemi të drejtën të përpiqemi për të. Fëmijët tanë mund të bëhen mjekë, profesorë, sipërmarrës, gjykatës apo politikanë. Një ditë, përse jo, edhe senatorë amerikanë. Dhe nuk duhet të jetë pengesë fakti që prindërit e tyre kanë lindur në Shqipëri, Kosovë apo diku tjetër.

Sigurisht, Amerika nuk është një shoqëri pa diskriminim. Por rezultati i këtyre zgjedhjeve tregoi se paragjykimi nuk është gjithmonë më i fortë se gjykimi i votuesve. Prandaj fitorja e Abdul El-Sayed nuk duhet parë vetëm si fitore e një myslimani, e një progresisti apo e Partisë Demokratike. Ajo ka një rëndësi më të gjerë për shoqërinë amerikane.
Në një periudhë kur ndarja e njerëzve sipas racës, fesë dhe origjinës është bërë pjesë e zakonshme e retorikës politike, votuesit e Michiganit zgjodhën një njeri që u ishte paraqitur vazhdimisht si i papranueshëm pikërisht për shkak të këtyre dallimeve.

Ata nuk votuan të gjithë për të njëjtat arsye. Por shumica vendosi se feja dhe prejardhja e tij nuk ishin arsye për t'ia mohuar mundësinë të shërbente në Senat.
Dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë ne që kemi zgjedhur Amerikën si vendin tonë. Sepse të drejtat që kërkojmë për veten tonë kanë vlerë vetëm kur jemi të gatshëm t'ua njohim edhe të tjerëve.