Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar se lufta me Iranin ka ndikuar në humbjen e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, duke kontribuar në humbjen e kontrollit të Kongresit. Megjithatë, ai ka mbrojtur vendimin për përfshirjen në konflikt, duke deklaruar se do të vepronte njësoj edhe nëse do t’i duhej ta merrte sërish këtë vendim.
Trump theksoi se përballja me Iranin ishte e domosdoshme për sigurinë kombëtare amerikane dhe për të parandaluar që Teherani të siguronte armë bërthamore.
“Ishte diçka që duhej të bënim me Iranin dhe vazhdojmë ta bëjmë”, deklaroi presidenti amerikan.
Deklarata erdhi pasi Trump u pyet për qëndrimin e zëvendëspresidentit J.D. Vance, i cili kishte lidhur humbjet elektorale të republikanëve me pasojat ekonomike dhe politike të luftës me Iranin.
Presidenti pranoi se konflikti kishte ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, veçanërisht për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve, një nga shqetësimet kryesore të votuesve amerikanë.
“Mendoj se kjo është kryesisht e vërtetë, sepse shkaktoi një rritje të vogël dhe të përkohshme të çmimeve të benzinës”, u shpreh Trump.
Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë këmbënguli se kostoja politike dhe ekonomike e konfliktit nuk e ndryshon bindjen e tij për domosdoshmërinë e ndërhyrjes kundër Iranit.
“Në të njëjtën kohë, nëse do të më duhej ta bëja përsëri, do të detyrohesha ta bëja përsëri, sepse në planin afatgjatë është e vetmja zgjidhje. Nuk mund ta lejosh Iranin të pajiset me armë bërthamore”, argumentoi ai.
