Një sulm kibernetik ka goditur sistemin e ftohjes së bankës kombëtare të gjakut në Francë, duke prekur dhomat frigoriferike në tri prej qendrave të saj. Institucioni francez i Gjakut (EFS) njoftoi se hakerat kanë ndërhyrë në distancë në sistemet e ftohjes, të administruara nga një kompani e jashtme, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të temperaturave.

Sipas gazetës investigative franceze “Le Canard Enchaîné”, temperatura në pajisjet frigoriferike u rrit nga minus 30 gradë Celsius në plus 11 gradë. Megjithatë, falë sistemeve të monitorimit dhe alarmit, ndërhyrja u konstatua në kohë dhe autoritetet arritën të shmangnin dëmtimin e mostrave biologjike dhe produkteve të gjakut.

EFS bëri të ditur se sistemet e prekura janë vendosur sërish nën kontroll, ndërsa një pjesë e produkteve të gjakut është transferuar në ambiente të tjera, si masë paraprake. Institucioni ruan gjakun dhe mostrat biologjike në pajisje frigoriferike përpara shpërndarjes së tyre në spitale dhe institucione të tjera shëndetësore.

Sulmi në Francë vjen pas një serie ndërhyrjesh të ngjashme kibernetike ndaj frigoriferëve dhe ngrirësve në supermarketet e disa vendeve evropiane, mes tyre Belgjika, Suedia, Irlanda, Luksemburgu, Estonia, Finlanda, Gjermania dhe Holanda. Në këto raste, ndërhyrjet shkaktuan gjithashtu rritje të temperaturave në pajisjet frigoriferike.

Një tjetër sulm në shkallë të gjerë ishte regjistruar në mesin e tetorit, kur ishin shënjestruar sistemet frigoriferike të disa prej rrjeteve më të mëdha të supermarketeve në Francë.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë identifikuar personat apo grupet që qëndrojnë pas këtyre sulmeve, ndërsa mbetet e paqartë nëse ndërhyrjet në sektorin ushqimor dhe atë shëndetësor janë pjesë e së njëjtës fushatë kibernetike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb